Presidenti i Venezuelës, Nicolás Maduro, ka ngritur akuza të rënda kundër mafies shqiptare që vepron në Ekuador, duke e lidhur atë me një plan të dyshuar për të sabotuar zgjedhjet rajonale dhe legjislative që pritet të mbahen të dielën e ardhshme në vendin e tij. Lajmi është bërë publik nga mediat e Amerikës Jugore dhe ka nxitur reagime të shumta në qarqet ndërkombëtare.
Në një deklaratë të transmetuar drejtpërdrejt në Televizionin Shtetëror Venezuelian (VTV), Maduro bëri të ditur se autoritetet kanë arrestuar 38 mercenarë, të cilët sipas tij janë dërguar nga mafia shqiptare me qëllim kryerjen e akteve terroriste. “Mafia shqiptare që sundon Ekuadorin dërgoi disa nga mercenarët e saj të trajnuar për të vendosur bomba në Venezuelë. Ne i kemi kapur ata. Tre nga telefonat e tyre u sekuestruan”, deklaroi Maduro gjatë një takimi me komandën e lartë ushtarake të vendit.
Presidenti venezuelian gjithashtu përmendi një lidhje të mundshme mes kësaj skeme dhe vizitës së biznesmenit amerikan Erik Prince në Ekuador gjatë muajit prill. Prince, themelues i kompanisë private ushtarake Blackwater (tani Academi), i kishte ofruar administratës së presidentit ekuadorian Daniel Noboa trajnime sigurie për forcat e policisë dhe ushtrinë.
“Nëse Erik Prince është atje, perandoria amerikane është atje”, deklaroi Maduro, duke sugjeruar se pas këtyre lëvizjeve fshihet edhe ndikimi amerikan.
Ai i bëri thirrje qytetarëve që të dalin në votime më 26 maj, duke theksuar rëndësinë e procesit si një akt paqeje dhe qëndrueshmërie. “Përballë atyre që duan dhunë, sabotim, shpërthime dhe plumba, votimi duhet të mbahet për paqe, stabilitet dhe si shembull të sovranitetit kombëtar kundër mafies së drogës ekuadoriane, shqiptare, kolumbiane dhe imperialiste”, përfundoi Maduro.