Një në çdo dhjetë makina të shitura në Mbretërinë e Bashkuar gjatë gjysmës së parë të këtij viti është prodhuar në Kinë, sipas të dhënave të reja të publikuara nga Shoqata e Prodhuesve dhe Tregtarëve të Automjeteve (SMMT). Kjo përbën një rritje të ndjeshme krahasuar me 5% të pjesës së tregut që markat kineze kishin në vitet 2023 dhe 2024.
Sipas analizës së Jato Dynamics, 8.3% e të gjitha makinave të shitura në Mbretërinë e Bashkuar janë të prodhimit kinez – shumica e tyre automjete elektrike (EV), por jo ekskluzivisht. Në krahasim, në Bashkimin Evropian, pjesa e markave kineze në treg gjatë pesë muajve të parë të vitit është më e ulët: 4.3% në total, me 1.6% në Gjermani, 2.7% në Francë dhe 9.2% në Spanjë.
Pa tarifa, kinezët përfitojnë nga tregu britanik
Sipas analistit të Jato, Felipe Munoz, suksesi i makinave kineze në tregun britanik lidhet me mungesën e tarifave dhe me popullaritetin në rritje të automjeteve elektrike në Mbretëri. “Fakti që Britania nuk ka vendosur tarifa është një mundësi e madhe për prodhuesit kinezë, sidomos kur marrim parasysh që MG – një markë tashmë në pronësi kineze – po perceptohet si prodhues lokal”, deklaroi Munoz.
Në të kundërt, vende si Franca dhe Gjermania kanë industri të fuqishme të automobilizmit që ndikojnë në politikën tregtare dhe mbrojtjen nga konkurrenca e jashtme.
Paralajmërime për të ardhmen e industrisë britanike
Disa figura kyçe të industrisë automobilistike kanë paralajmëruar se Mbretëria e Bashkuar mund të përballet me sfida serioze në konkurrencë, nëse nuk ndërmerr masa për të balancuar ndikimin e rritjes së prodhuesve kinezë. John Neill, ish-president i SMMT dhe ish-drejtor i kompanisë Unipart, tha:
“Prodhuesit kinezë po sjellin makina më të mira, më të lira dhe më inovative në çdo sektor. Nëse do të shesin këtu, duhet t’i detyrojmë të prodhojnë edhe këtu.”
Në ndërkohë, kompani kineze dhe franshizat e tyre po blejnë sallone makinash në të gjithë vendin, duke zgjeruar praninë fizike në treg.
Presioni ndaj qeverisë britanike dhe shembujt ndërkombëtarë
Deri më tani, qeveria britanike nuk ka qenë nën presion të madh nga industria vendore për të kopjuar politikat e Bashkimit Evropian, Shteteve të Bashkuara dhe Kanadasë, të cilat kanë vendosur tarifa të larta për automjetet elektrike kineze.
BE ka miratuar tarifa që mund të arrijnë deri në 45%, ndërsa Kanadaja ka njoftuar një taksë 100% për importet nga Kina. Aktualisht, BE dhe Kina po negociojnë për të zëvendësuar këto tarifa me një sistem çmimesh minimale, ndërkohë që disa prodhues kinezë po hapin fabrika brenda BE-së – veprim që mund të lejojë eksportin në Mbretërinë e Bashkuar pa tarifa.
Rritja e kërkesës për EV dhe zbritjet “të paqëndrueshme”
Sipas SMMT, një në katër blerës të makinave të reja në Mbretërinë e Bashkuar zgjedh një automjet elektrik. Megjithatë, drejtori ekzekutiv i SMMT, Mike Hawes, ka paralajmëruar se kjo rritje është nxitur nga zbritje agresive nga prodhuesit dhe jo domosdoshmërisht nga politikat afatgjata të qëndrueshme.
“Siç e kemi parë në vende të tjera, stimujt qeveritarë mund ta përshpejtojnë tranzicionin, por në mënyrë të paqëndrueshme,” u shpreh Hawes.
Burimi: Jato Dynamics / SMMT / BBC Business / Reuters