Zyrtarët e Doganës së Kosovës kanë zbuluar një tentativë për të futur mallra të padeklaruara në vlerë prej 3,264 eurosh në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari”.
Rasti është evidentuar gjatë kontrolleve rutinore, pas analizës së rrezikut nga zyrtarët doganorë. Dy udhëtarë, të cilët kishin ardhur nga Stambolli, janë selektuar për kontroll të detajuar. Gjatë procesit të inspektimit me skaner dhe kontrollit fizik të bagazheve të tyre, janë identifikuar mallra të padeklaruara, përfshirë:
-
Produkte kozmetike,
-
Ambalazhe me mbishkrime të brendeve të ndryshme,
-
Ngjitëse dhe stikera me mbishkrime komerciale.
Mallrat janë ndaluar përkohësisht, ndërkohë që ndaj personave të përfshirë ka nisur procedura kundërvajtëse.
Dogana e Kosovës ka bërë thirrje për respektim të detyrimit ligjor për deklarimin e mallrave. Sipas ligjit në fuqi, mosdeklarimi përbën shkelje dhe mund të rezultojë me gjoba, si dhe konfiskim të produkteve të padeklaruara.
Institucioni thekson se zbatimi rigoroz i procedurave të kontrollit mbetet një ndër prioritetet për mbrojtjen e tregut dhe parandalimin e kontrabandës.