Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MAShTI) ka njoftuar sot se prindërit shqiptarë nga Lugina e Preshevës, Maqedonia e Veriut, Shqipëria dhe vendet tjera të banuara me shqiptarë, të cilët kanë fëmijë të regjistruar në shkollat e Republikës së Kosovës, kanë të drejtë të aplikojnë për subvencionim për tekste dhe materiale shkollore.
Në sqarimin e MAShTI-t theksohet se për qytetarët rezidentë në Kosovë nga këto rajone, që nuk mund të aplikojnë përmes platformës e-Kosova për shkak të mungesës së dokumentacionit, është e domosdoshme që të plotësohen dy kushte kryesore:
Numri i lejeqëndrimit të prindit aplikues duhet të jetë i ndërlidhur me numrin personal të fëmijës në Regjistrin Civil. Në rast të mospërputhjeve, prindi duhet të paraqitet në zyrën e gjendjes civile për ta rregulluar ndërlidhjen.
Xhirollogaria bankare duhet të jetë në emër të prindit aplikues dhe e raportuar në Bankën Qendrore të Kosovës (BQK), e lidhur me numrin personal të lejeqëndrimit.
Vetëm pasi të jenë përmbushur këto kushte, aplikimi përmes platformës e-Kosova do të realizohet me sukses.
MAShTI fton të gjithë prindërit që në rast paqartësish të kontaktojnë institucionet përkatëse ose të vizitojnë faqen zyrtare të ministrisë për udhëzime shtesë.

