Numri i viktimave nga protestat mbarëkombëtare në Iran ka tejkaluar shifrën 3,000, sipas një raporti të publikuar nga aktivistët e të drejtave të njeriut, ndërsa vendi po përjeton një qetësim relativ pas një vale të fortë dhune dhe një ndërprerjeje gati totale të internetit.
Grupi i të drejtave të njeriut HRANA, me bazë në Shtetet e Bashkuara, njoftoi se ka verifikuar 3,090 viktima, prej të cilëve 2,885 janë protestues civilë. Sipas të dhënave të tyre, goditja e ashpër e autoriteteve iraniane duket se ka shuar përkohësisht protestat në shumë zona të vendit.
Banorë të kryeqytetit Teheran, të kontaktuar nga Reuters, thanë se qyteti ka qenë relativisht i qetë për katër ditë radhazi. Edhe pse dronë janë parë duke fluturuar mbi qytet, nuk janë raportuar protesta të mëdha ditët e fundit. Situatë e ngjashme është raportuar edhe në qytetet veriore pranë Detit Kaspik.
Protestat shpërthyen më 28 dhjetor për shkak të vështirësive ekonomike, por shumë shpejt u shndërruan në demonstrata masive kundër sundimit klerikal në Republikën Islamike. Dhuna kulmoi fundjavën e kaluar, në atë që opozita dhe disa zyrtarë e kanë cilësuar si trazirat më të rënda që nga Revolucioni Islamik i vitit 1979.
Ndërkohë, grupi i monitorimit të internetit NetBlocks raportoi një “rritje shumë të lehtë” të aktivitetit online pas 200 orësh bllokade pothuajse totale. Sipas NetBlocks, lidhshmëria mbetet rreth 2 për qind e niveleve normale, megjithëse disa iranianë jashtë vendit thanë se kanë arritur të dërgojnë mesazhe drejt Iranit në orët e para të së shtunës.
Në zhvillimet ndërkombëtare, presidenti amerikan Donald Trump deklaroi se udhëheqësit iranianë kanë anuluar ekzekutimet masive të protestuesve, pas paralajmërimeve të tij për “veprime shumë të forta” në rast se ato do të realizoheshin. “I respektoj shumë faktin që varjet e planifikuara janë anuluar. Faleminderit!”, shkroi Trump në rrjetet sociale. Autoritetet iraniane, megjithatë, nuk kanë konfirmuar se kanë pasur plane për ekzekutime të tilla.
Situata ka ndikuar edhe te shtetasit e huaj në Iran. Studentë dhe pelegrinë indianë kanë deklaruar se kanë qenë të izoluar në ambientet ku qëndronin dhe pa mundësi komunikimi me familjet e tyre. Ministria e Punëve të Jashtme e Indisë bëri të ditur se fluturimet komerciale janë të disponueshme dhe se po ndërmerren masa për sigurinë e shtetasve indianë në Iran.
Megjithëse qetësia është rikthyer përkohësisht, aktivistët paralajmërojnë se situata mbetet e brishtë dhe se pasojat njerëzore të represionit janë tashmë të rënda, duke lënë pas mijëra viktima dhe një shoqëri të thellësisht të tronditur.

