Bankat dhe institucionet financiare evropiane po bëhen shumë të varura nga kompania të mëdha teknologjike amerikane – një varësi që mund të kthehet në rrezik serioz për sistemin financiar të BE-së. Paralajmërimi vjen nga Steven Maijoor, kryetari i mbikëqyrjes në Bankën Qendrore të Holandës, i cili në një intervistë për POLITICO ngriti alarmin për “rrezikun e përqendrimit”.
Sipas tij, fakti që shumica e bankave evropiane mbështeten vetëm në disa furnizues teknologjie – si Amazon Web Services, Google Cloud, Microsoft dhe Oracle – i ekspozon ato ndaj problemeve të mëdha operacionale nëse këta ofrues ndalojnë shërbimet.
“Nëse një nga këta furnizues dështon, mund të shkaktojë probleme masive operacionale,” theksoi Maijoor, duke kujtuar se rënia e Amsterdam Trade Bank në vitin 2023 u shkaktua pikërisht pasi kompania amerikane e IT-së i ndërpreu shërbimet pas vendosjes së sanksioneve amerikane ndaj kompanisë mëmë.
BE-ja rrezikon ta thellojë varësinë me ligjet e saj
Ironikisht, edhe ligjet e reja të BE-së mund ta përkeqësojnë situatën. Maijoor kritikon Aktin e Rezistencës Operacionale Dixhitale (DORA) – ligji që synon rritjen e sigurisë dixhitale – sepse në praktikë ai mund t’i shtyjë bankat edhe më shumë drejt gjigantëve amerikanë, të cilët aktualisht ofrojnë teknologjinë më të zhvilluar dhe më të besueshme në treg.
“Nëse kërkon cilësi dhe siguri të lartë, përfundon te ofruesit e mëdhenj amerikanë,” tha ai.
Mbikëqyrësit holandezë kërkojnë që BE-ja të rishqyrtojë rregullat, të forcojë mbikëqyrjen, dhe madje të krijojë një mbikëqyrës europian për shërbimet cloud, pasi varësia nga këto platforma nuk prek vetëm financat, por edhe energjinë, telekomunikacionin dhe sektorë të tjerë kritikë të ekonomisë.
Incidentet e fundit ngrenë shqetësimet
Varësia e BE-së është ekspozuar tashmë disa herë:
-
Rasti CrowdStrike 2024, ku një ndërprerje globale ndikoi drejtpërdrejt në funksionimin e bankave evropiane.
-
Ndalimi i shërbimeve cloud ndaj Amsterdam Trade Bank që ndihmoi në rrëzimin e saj.
Këto episode, sipas Maijoor, tregojnë se dëmtimi i vetëm një kompanie amerikane mund të shkaktojë zinxhir problemesh që prekin gjithë sistemin financiar evropian.
A do të zgjohet BE-ja?
Sipas mbikëqyrësve holandezë, Evropa duhet të ndërtojë urgjentisht kapacitete të veta teknologjike dhe të krijojë rregulla që nxisin përdorimin e ofruesve lokalë të IT-së, përndryshe rrezikon të humbasë kontrollin mbi sigurinë e saj financiare.
Ndërkohë, Komisioni Europian nuk ka komentuar ende mbi paralajmërimet.

