Mbretëria e Bashkuar ka vendosur sanksione të reja ndaj agjencisë së inteligjencës ushtarake ruse, GRU, duke përfshirë tre njësi të saj dhe 18 oficerë, për një fushatë të gjerë aktivitetesh kibernetike dhe operacione të konsideruara si përpjekje për destabilizimin e Evropës.
Në një njoftim zyrtar, Ministria e Jashtme britanike deklaroi se sanksionet përfshijnë individë të dyshuar për përgatitjen e sulmit shkatërrimtar ndaj teatrit të Mariupolit në muajin e parë të pushtimit rus të Ukrainës më 2022, ku humbën jetën qindra civilë që strehoheshin brenda objektit.
Po ashtu, në listën e të sanksionuarve janë përfshirë edhe persona të akuzuar për përfshirje në tentativën e helmimit me agjent nervor Novichok ndaj ish-spiunit rus Sergei Skripal dhe vajzës së tij Yulia në qytetin Salisbury më 2018.
“Spiunët e GRU po zhvillojnë një fushatë për të destabilizuar Evropën, për të minuar sovranitetin e Ukrainës dhe për të kërcënuar sigurinë e qytetarëve britanikë,” tha Sekretari i Jashtëm britanik, David Lammy.
Sipas autoriteteve britanike, fushata ruse e ndërhyrjeve ka pasur si shënjestër mediat, institucionet politike dhe demokratike, infrastrukturën energjetike dhe ofruesit e telekomunikacionit në Mbretërinë e Bashkuar.
Londra ka akuzuar vazhdimisht Kremlinin për veprime të dëmshme që variojnë nga spiunazhi dhe ndërhyrjet në zgjedhje, deri te sabotimi dhe vrasjet e motivuara politikisht. Rusia, nga ana e saj, i ka mohuar kategorikisht këto pretendime, duke i cilësuar si të pabazuara dhe të motivuara politikisht.
Në një rast tjetër të lidhur, më herët gjatë këtij muaji, tre persona u shpallën fajtorë për një sulm zjarrvënieje ndaj një biznesi të lidhur me Ukrainën në Londër, për të cilin policia britanike deklaroi se ishte organizuar nga grupi mercenar rus Wagner.
Përveç masave kundër GRU-së, Mbretëria e Bashkuar ka vendosur sanksione edhe ndaj tre liderëve të të ashtuquajturës “Nisma Afrikane”, e përshkruar si një fabrikë propagandistike e sponsorizuar nga Kremlini që shpërndan dezinformata në mediat sociale në rajonin e Afrikës Perëndimore.
Në të njëjtën ditë, edhe Bashkimi Evropian dhe NATO publikuan deklarata të ashpra kundër asaj që e quajtën “aktivitetet hibride destabilizuese të Rusisë”, duke paralajmëruar për rritjen e kërcënimeve të sigurisë.
BE gjithashtu miratoi një pako të re sanksionesh që përfshin masa kufizuese ndaj çmimit të naftës, ndalim të transaksioneve përmes gazsjellësve Nord Stream, si dhe ndëshkime ndaj flotës së anijeve “në hije” të Rusisë, si pjesë e përpjekjeve për të frenuar agresionin rus ndaj Ukrainës.
Mbretëria e Bashkuar ndërkohë ka shtuar ndjeshëm shpenzimet për mbrojtje, si pjesë e një strategjie të re përballë kërcënimeve hibride dhe sulmeve kibernetike të sponsorizuara nga shteti rus.