Sipas mediave shtetërore në Iran, është arritur një konsensus i gjerë për emrin e udhëheqësit të ri suprem të vendit, pas raportimeve për vdekjen e liderit aktual, Ali Khamenei, i cili sipas këtyre raportimeve humbi jetën pas sulmeve të ndërmarra nga SHBA dhe Israel rreth një javë më parë në territorin iranian.
Menjëherë pas lajmit për vdekjen e tij, në Iran u krijua një këshill i përkohshëm drejtues me tre persona, i cili pritet të drejtojë vendin deri në përzgjedhjen zyrtare të liderit të ri suprem.
Këshilli përbëhet nga:
-
Masoud Pezeshkian, presidenti reformist i Iranit
-
Gholamhossein Mohseni Ejei, kreu i sistemit gjyqësor dhe një figurë e njohur e linjës së ashpër politike
-
Alireza Arafi, jurist dhe drejtues i organizatës paraushtarake Basij
Udhëheqësi suprem në Iran zgjidhet nga Assembly of Experts, një organ i përbërë nga 88 dijetarë islamikë të cilët përzgjidhen për besnikërinë e tyre ndaj sistemit politik të vendit.
Një nga anëtarët e këtij organi, Mohammadmehdi Mirbaqeri, deklaroi se është arritur pothuajse një konsensus i shumicës për emrin e liderit të ri suprem.
Megjithatë, ai theksoi se mbeten ende disa pengesa procedurale që lidhen me mënyrën e shpalljes së vendimit përfundimtar. Sipas mediave iraniane, brenda organit përgjegjës për emërimin ka pasur një debat të vogël nëse vendimi duhet të merret gjatë një mbledhjeje fizike të Asamblesë apo nëse mund të shpallet pa ndjekur këtë formalitet.
Autoritetet iraniane pritet të japin detaje të mëtejshme në ditët në vijim lidhur me procesin e përzgjedhjes dhe emrin e liderit të ri që do të marrë drejtimin e vendit.

