Në Mynih, para delegatëve të Unionit Kristian Social, kancelari gjerman Friedrich Merz doli me një mesazh që të ftohte gjakun: bota ka hyrë në një epokë tjetër, dhe Evropa s’ka më luksin të flejë mbi iluzione.
Merz tha se ndryshimet ndërkombëtare nuk janë “stuhitë e zakonshme” të diplomacisë, por transformime të thella strukturore, të cilat do t’i kuptojmë plotësisht vetëm në retrospektivë. Sipas tij, periudha e dominimit amerikan – ajo që njihej si Pax Americana – nuk ekziston më. SHBA-të po ndjekin interesat e veta me forcë, e kjo do të thotë një gjë për Gjermaninë dhe Evropën:
“Duhet të fillojmë të mbrojmë interesat tona – nostalgjia nuk na shpëton.”
Rusia dhe rreziku që vjen pas Ukrainës
Merz kujtoi se agresioni rus s’filloi në 2022, por në 2014 me aneksimin e Krimesë. Ai theksoi se nëse Moska arrin objektivat në Ukrainë, shënjestra e radhës mund të jetë vetë Bashkimi Evropian.
“Nuk rrezikoj periudhën më të gjatë të paqes në kontinent.”
Për këtë arsye, kancelari listoi katër shtylla të politikës së tij:
-
Mbështetje për Ukrainën për aq kohë sa të jetë e nevojshme
-
Fuqizim i kohezionit brenda BE-së dhe NATO-s
-
Investime të mëdha në kapacitetet mbrojtëse
-
Rindërtim i konkurrueshmërisë ekonomike të Gjermanisë
Mesazh për të rinjtë: Shërbimi ushtarak mund të rikthehet
Merz iu drejtua të rinjve gjermanë me tone serioze: vendi ka nevojë për përgatitje. Fillimisht angazhimi do të jetë vullnetar, por ai nuk e përjashtoi rikthimin e detyrimit ushtarak nëse situata e kërkon.
“Gjermania ofron shumë mundësi, por pret edhe kontribut.”
“Gjermania ka nevojë për rinovim nga themelet”
Në fund, kancelari tha se një nga objektivat kryesore të qeverisë së tij është ristrukturimi i thellë i vendit. Ai e përshkroi Gjermaninë si një rast që kërkon “riparim total”, një proces që – sipas tij – mund të funksionojë vetëm me bashkëpunimin e qytetarëve.

