Kancelari gjerman, Friedrich Merz, deklaroi të dielën se Gjermania po përgatitet për mundësinë që lufta mes Rusisë dhe Ukrainës të vazhdojë për një periudhë të gjatë. Sipas tij, konfliktet zakonisht përfundojnë ose me humbje ushtarake, ose me rraskapitje ekonomike – skenarë që aktualisht nuk duken të afërt as për Kievin dhe as për Moskën.
Deklarata e Merz vjen një ditë para përfundimit të afatit të vendosur nga presidenti amerikan Donald Trump për organizimin e një takimi mes presidentëve të Rusisë dhe Ukrainës, me synimin për të hapur rrugën drejt bisedimeve të paqes. Trump paralajmëroi gjithashtu se “do të ketë pasoja” nëse takimi nuk ndodh.
Kancelari gjerman nënvizoi se përpjekjet diplomatike po vazhdojnë me intensitet, por theksoi se paqja nuk mund të arrihet “me çmimin e dorëzimit të Ukrainës”, pasi sipas tij, në atë rast Rusia mund të synonte një vend tjetër. “Dhe pasnesër, mund të jemi ne,” tha Merz, duke nënvizuar rrezikun për Evropën nëse lufta nuk menaxhohet me kujdes.
I pyetur për mundësinë që Gjermania të dërgojë trupa në Ukrainë si pjesë e garancive të sigurisë pas një marrëveshjeje paqeje, Merz nuk dha një përgjigje të drejtpërdrejtë.
Ndërkohë, Britania dhe Franca po udhëheqin një iniciativë për krijimin e një “forcë sigurie” që do të parandalonte çdo agresion të mundshëm të ardhshëm rus. Megjithatë, përfshirja e mundshme e Gjermanisë në këtë “Aleancë të Vullnetarëve” ka ngjallur debat brenda vendit, për shkak të kujtesës historike lidhur me të kaluarën naziste të saj.