Aksionet e Meta Platforms Inc. ranë me mbi 7% në tregtimin pas orarit të punës të mërkurën, pasi kompania publikoi rezultate të forta për tremujorin e tretë, por paralajmëroi rritje të ndjeshme të shpenzimeve për vitin 2026, të nxitura kryesisht nga investimet masive në inteligjencën artificiale (IA).
Sipas FactSet, analistët parashikojnë që shpenzimet e përgjithshme të kompanisë vitin e ardhshëm të arrijnë rreth 97 miliardë dollarë (83.51 miliardë euro), ndjeshëm më shumë se pritjet aktuale për këtë vit.
Meta nuk ka dhënë ende një vlerësim zyrtar për shpenzimet e 2026-s, por theksoi se kostot e infrastrukturës dhe kompensimi i punonjësve, sidomos për ekspertët e IA-së, do të jenë faktorët kryesorë të rritjes.
“Kostot e kompensimit të punonjësve do të jenë kontribuesi i dytë më i madh në rritje, pasi ne shtojmë talent teknik në fushat prioritare,” tha kompania.
Në tremujorin korrik–shtator, Meta raportoi fitim neto prej 2.71 miliardë dollarësh (2.33 miliardë euro) ose 1.05 dollar për aksion, ndërsa duke përjashtuar shpenzimet speciale, fitimi do të kishte qenë 7.25 dollarë për aksion.
Të ardhurat u rritën me 26%, duke arritur në 51.42 miliardë dollarë (44.29 miliardë euro), krahasuar me 40.59 miliardë dollarë një vit më parë.
Baza e përdoruesve aktivë të përditshëm në platformat Facebook, Instagram, WhatsApp, Messenger dhe Threads arriti në 3.54 miliardë, një rritje prej 8% në krahasim me vitin e kaluar.
Për tremujorin aktual, Meta pret të ardhura mes 56 dhe 59 miliardë dollarëve, ndërsa analistët parashikojnë rreth 57.36 miliardë dollarë.
Pavarësisht shqetësimeve të investitorëve, analistët mbeten optimistë.
“Për Metën, reklamimi është themeli; IA është motori i rritjes,” deklaroi Debra Aho Williamson, themeluese e Sonata Insights. “Shpenzimet janë të mëdha, por rezultatet tregojnë se integrimi i IA-së në produktet e reklamimit po funksionon.”
Për vitin aktual, Meta pret shpenzime kapitale në intervalin 70–72 miliardë dollarë (60–62 miliardë euro), një rritje nga parashikimi i mëparshëm.
Sidoqoftë, kompania paralajmëroi se sfidat ligjore dhe rregullatore në SHBA dhe Bashkimin Evropian mund të ndikojnë negativisht në rezultatet e saj financiare. Ndër to përfshihet edhe një çështje antitrust që mund ta detyrojë Metën të ndajë WhatsApp dhe Instagram nga struktura e saj korporative.
“Një numër gjyqesh që lidhen me çështjet e të rinjve janë planifikuar për vitin 2026 dhe mund të rezultojnë në humbje materiale,” theksoi kompania në njoftim.
Megjithë rënien në treg, analistët e vlerësojnë performancën si të qëndrueshme.
“Tremujori nuk ishte i dobët dhe perspektiva mbetet pozitive,” tha Andrew Rocco nga Zacks Investment Research. “Më e rëndësishmja, të ardhurat nga reklamat mbeten të forta.”

