Milani arriti një fitore të madhe në “San Siro”, duke mposhtur Napolin me rezultat 2-1, pavarësisht se luajti për gati gjysmë ore me një lojtar më pak. Me këtë sukses, kuqezinjtë ngjiten në kuotën e 12 pikëve, duke u bashkuar me Napolin dhe Romën në krye të tabelës së Serie A.
Skuadra e drejtuar nga Massimiliano Allegri e nisi fuqishëm takimin. Vetëm pas tre minutash, Pulisic depërtoi pas mbrojtjes së Napolit dhe shërbeu një asist perfekt për Saelemaekers, i cili zhbllokoi shifrat.
Në minutën e 25-të, Milani dyfishoi epërsinë me vetë Pulisic, pas një kombinimi me Pavloviç dhe Fofana. Goditja e amerikanit u devijua nga Juan Jesus, duke e çuar atë në kuotën e katër golave këtë sezon dhe në krye të renditjes së golashënuesve të Serie A.
Pjesa e dytë nisi me një episod të vështirë për kuqezinjtë: Estupiñan shkaktoi penallti dhe u ndëshkua me karton të kuq pas faullit ndaj Di Lorenzo. Nga pika e bardhë, Kevin De Bruyne realizoi, duke ngushtuar shifrat në 2-1.
Në inferioritet numerik, Allegri sakrifikoi Pulisic për të futur Bartesaghin, ndërsa Napoli shtoi presionin. Rabiot ndali një goditje të Elmas, ndërsa tentativa e Neres u devijua nga Modriç dhe përfundoi në traversë.
Në shtatë minutat shtesë, Milani u mbrojt me vendosmëri dhe siguroi fitoren e katërt radhazi në kampionat. Ky sukses i dha fund serisë prej 16 ndeshjesh pa humbje të Napolit në Serie A – rekordi më i gjatë aktualisht në pesë ligat kryesore të Europës.
Rezultati final:
MILAN 2-1 NAPOLI
⚽ 3’ Saelemaekers, 25’ Pulisic / 60’ De Bruyne (p)