Ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku, ka ndarë pamje dhe komente mbi gjendjen e Kullës së Sheremetit në qytetin e Pejës, duke theksuar rëndësinë e saj historike dhe faktin se objekti është restauruar nga Ministria e Kulturës.
“Kulla e Sheremetit ruan shumë histori brenda mureve të gurit. Është ndër monumentet më të veçanta të Dukagjinit,” shkroi Çeku në një postim në rrjetet sociale, duke treguar ndryshimin nga gjendja në të cilën ishte gjetur deri te rikthimi i saj sot pas restaurimit.
Ky objekt, i ndërtuar me gurë dhe i lidhur ngushtë me trashëgiminë historike të rajonit, është një nga destinacionet më të vizituara në Pejë dhe simbol i identitetit kulturor të zonës së Dukagjinit. Restaurimi i saj është pjesë e angazhimeve të Ministrisë për ruajtjen dhe promovimin e trashëgimisë kombëtare.