Ministri i Shëndetësisë, Arben Taravari, ka konfirmuar për TV24 se të hënën do ta dorëzojë dorëheqjen nga posti qeveritar, në përputhje me vendimin e partisë së tij për të kaluar në opozitë.
Largimi i Taravarit pritet të shënojë nisjen e tërheqjes së strukturave partiake nga pozitat qeveritare, përfshirë funksionarë të tjerë dhe drejtorë të ndërmarrjeve publike që aktualisht ushtrojnë funksione në emër të subjektit të tij politik.
Sipas Taravarit, pas dorëheqjes që do të dorëzohet nesër në Qeveri, të martën pritet që Kuvendi të konstatojë zyrtarisht dorëheqjet e të gjithë përfaqësuesve të partisë së tij në ekzekutiv dhe drejtori.
Megjithatë, mbetet e paqartë nëse zëvendëskryeministri për Qeverisje të Mirë, Arben Fetai, gjithashtu pjesë e të njëjtës parti, do të ndjekë shembullin e liderit të partisë. Fetai nuk ka dhënë ende një qëndrim të qartë lidhur me qëndrimin apo largimin e tij nga pozita aktuale.
Ky zhvillim vjen si pasojë e vendimit politik të partisë për t’u pozicionuar në opozitë, duke hapur një kapitull të ri në raportet e saj me pushtetin qendror. Seancat e ardhshme parlamentare pritet të jenë vendimtare për qartësimin institucional të këtij ndryshimi politik.