Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka reaguar ashpër ndaj akuzave për përfshirjen e gazetarëve në hetimet që lidhen me Milan Radoiçiqin, duke theksuar se institucionet e sigurisë po kryejnë punën e tyre dhe se objekt i hetimeve nuk janë gazetarët.
“E para, nuk janë hetuar gazetarët. Është hetuar tjetër kush, janë hetuar Radoiçiqat. Kur hetohen Radoiçiqat, dalin bashkëpunëtorët e tyre. Natyrisht, institucionet tona të sigurisë e kanë detyrë shtetërore, morale e ligjore që të hetojnë deri në fund çdo bashkëpunim që ka rrezikuar Kosovën, përfshirë edhe plane për grushtshtet,” tha Osmani.
Ajo shtoi se gjatë hetimeve kanë dalë shumë prova dhe se procesi po vazhdon. “E dinë ata kush janë, e kanë mizën mas veshi,” deklaroi presidentja, duke lënë të kuptohet se personat e përfshirë në këto aktivitete janë tashmë të identifikuar nga organet e sigurisë.