E hëna në Kosovë pritet të sjellë mot të qetë dimëror, me alternime të mjegullës, vranësirave të ulëta dhe periudhave me diell. Në shumë zona të ultësirës, mjegulla do të jetë e dendur sidomos në orët e mëngjesit, duke mbajtur temperaturat mjaft të ulëta.
Sipas parashikimeve, temperaturat minimale do të zbresin deri në -4°C, ndërsa ato maksimale pritet të arrijnë deri në 7°C. Në zonat kodrinore e malore, ku mjegulla ka më pak ndikim, dita do të jetë më e ngrohtë dhe më e kthjellët.
Në disa rajone mjegulla mund të qëndrojë edhe gjatë orëve të ditës, duke krijuar kushte me dukshmëri të reduktuar dhe temperaturë më të ulët krahasuar me zonat më të larta.
Edhe në Shqipëri, Maqedoninë e Veriut, Luginën e Preshevës dhe Mal të Zi pritet mot i ngjashëm: diell, vranësira të ulëta dhe mjegull varësisht nga zona në zonë, pa ndryshime të theksuara meteorologjike.

