Organizata ndërkombëtare humanitare Mjekët pa Kufij (MSF) ka dënuar ashpër metodën e shpërndarjes së ndihmave humanitare në Rripin e Gazës, duke e cilësuar atë si një “vrasje të orkestruar” dhe një formë të “urisë së institucionalizuar”.
Në një raport tronditës të publikuar të enjten me titullin “Kjo nuk është ndihmë. Kjo është vrasje e orkestruar”, MSF akuzon ushtrinë izraelite dhe kontraktorët privatë amerikanë për përdorimin e dhunës gjatë shpërndarjes së ndihmave për popullatën civile në Gaza.
Sipas raportit, që nga muaji maj kur u hapën dy pikat famëkeqe të shpërndarjes së ndihmave të GHF-së në Rafah – al-Attar dhe al-Mawasi – MSF ka trajtuar mbi 1,300 persona për plagë me armë zjarri, ndërsa 28 trupa të pajetë janë pranuar në klinikat e tyre.
MSF: Ushqimi po shpërndahet me mjete ushtarake
“Vendet e shpërndarjes së GHF-së janë shumë larg çdo standardi të njohur për ndihmë humanitare të sigurt dhe dinjitoze,” thuhet në raport. “Askund tjetër në botë, përfshirë zonat më të rrezikshme ku vepron MSF, nuk do të tolerohej ky nivel i dhunës.”
MSF shton se shpërndarja e ndihmës është shoqëruar me “shtrëngime të rënda, turma mbytëse, plaçkitje të dhunshme dhe përdorim të masave vdekjeprurëse për ‘kontrollin e turmës’”.
Në dy klinikat e MSF-së janë trajtuar 174 persona me plagë nga armët e zjarrit, përfshirë gra dhe fëmijë, ndërsa shumica e pacientëve kanë qenë djem adoleshentë dhe burra të rinj. Shumë prej tyre kanë pasur plagë në gjymtyrët e poshtme, gjë që, sipas MSF-së, tregon shënjestrim të qëllimshëm, dhe jo zjarre të rastësishme apo pa dallim.
Dhunë fizike dhe trauma te civilët
Raporti gjithashtu dokumenton përdorimin e sprejit me piper dhe mjeteve të tjera të dhunës fizike gjatë shpërndarjes së ndihmës, ndërsa pacientët vinin të mbuluar me rërë dhe pluhur, pasi kishin kaluar kohë të shtrirë në tokë për t’u fshehur nga të shtënat.
“Njerëzit po qëllohen si kafshë,” tha një koordinator i MSF-së. “Ata nuk janë të armatosur, nuk janë ushtarë – janë civilë që mbajnë qese plastike, duke shpresuar të kthehen në shtëpi me pak miell ose makarona.”
Thirrje për ndërhyrje ndërkombëtare
MSF bën thirrje për ndërprerjen urgjente të këtij modeli të militarizuar të shpërndarjes së ushqimit, duke kërkuar zëvendësimin e tij me një sistem humanitar që respekton jetën, dinjitetin dhe të drejtat e civilëve.
“Pyetja që lind është: Sa i lartë është çmimi që duhet të paguajnë njerëzit për një qese me ushqim?” përfundon raporti i MSF-së.
Organizata i bën thirrje bashkësisë ndërkombëtare që të reagojë dhe të ushtrojë presion për të garantuar mbrojtjen e civilëve dhe rikthimin e standardeve humanitare në shpërndarjen e ndihmës në Gaza.