Gazmend Muhaxheri, një prej zyrtarëve të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), ka folur për arsyet që e kanë shtyrë të kërkojë largimin e kryetarit të partisë, Lumir Abdixhiku.
I ftuar në emisionin “Pressing” në T7, Muhaxheri ka deklaruar se për vite me radhë ka qenë një prej mbështetësve më të mëdhenj të Abdixhikut, madje duke e përkrahur fuqishëm zgjedhjen e tij në krye të LDK-së në vitin 2021.
Sipas tij, atëherë besonte se Abdixhiku ishte figura që mund ta udhëhiqte partinë për një periudhë të gjatë, por rezultatet e zgjedhjeve të fundit, sipas tij, kanë dëshmuar të kundërtën.
“Kam qenë përkrahësi më i madh i kësaj iniciative dhe kam deklaruar se e kemi zgjidhur problemin e kryetarit për 20 vitet e ardhshme”, ka thënë Muhaxheri.
Ai ka vlerësuar se LDK-ja ka shënuar rënie në tri cikle zgjedhore dhe se mbështetja për kryetarin e partisë ka ardhur duke u zvogëluar.
Muhaxheri ka bërë të ditur se dorëheqjen e Abdixhikut ia ka kërkuar edhe personalisht në zyrën e tij.
“Kam hyrë në zyrë dhe i kam thënë në katër sy: Duhet të shkosh kryetar. Duhet të shkoj edhe unë me ty, sepse edhe unë mbaj përgjegjësi që kam besuar në këtë proces”, ka deklaruar ai.
Ai ka thënë se qëllimi i nismës nuk është eliminimi i figurave brenda partisë, por hapja e një procesi të ri zgjedhor.
Muhaxheri ka kritikuar edhe vendimet politike të Abdixhikut pas zgjedhjeve, duke thënë se qëndrimi “as me pozitën, as me opozitën” nuk është lexuar si duhet nga elektorati.
Ai ka folur edhe për votëbesimin brenda LDK-së, duke pretenduar se një pjesë e madhe e delegatëve nuk i kishin dhënë mbështetje të plotë kryetarit.
Sa i përket të ardhmes së partisë, Muhaxheri ka thënë se nuk synon të kandidojë për kryetar të LDK-së, duke përmendur se mund të ketë kandidatë të tjerë.
Ai ka përmendur emra si Hykmete Bajrami dhe deputetë të tjerë si persona që mund të kenë ambicie për drejtimin e partisë, ndërsa ka thënë se edhe kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, i plotëson disa nga kriteret që LDK-ja kishte kërkuar kur zgjodhi Abdixhikun.
“LDK-ja duhet ta ketë një udhëheqës që mund t’i bëjë ballë Albin Kurtit”, ka deklaruar Muhaxheri.
Ai ka theksuar se sipas tij, LDK-ja duhet të mbetet në opozitë, të forcohet dhe të përgatitet për zgjedhjet e ardhshme me një kandidat të ri për kryeministër.
Kuvendi i jashtëzakonshëm i LDK-së është caktuar të mbahet të enjten në orën 18:00, ku delegatët do të vendosin nëse Lumir Abdixhiku do të vazhdojë të jetë kryetar i partisë apo do të shkarkohet.

