Ish-kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, ka bërë një reagim publik në lidhje me zhvillimet përreth procesit gjyqësor në Hagë ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, duke u bërë thirrje qytetarëve dhe institucioneve që të mbrojnë vlerat e luftës dhe të mos lejojnë, siç tha ai, “rishkrimin e historisë me dëshmi të instrumenteve të pushtetit serb”.
Në një postim në Facebook, Mustafa kujtoi se shteti i Kosovës është rezultat i dy shtyllave: rezistencës politike të udhëhequr nga Presidenti Ibrahim Rugova dhe luftës së UÇK-së. “Është vlerë e përbashkët”, shkroi ai.
Ai theksoi se Kuvendi i Kosovës kishte pasur besim në drejtësinë ndërkombëtare kur miratoi themelimin e Dhomave të Specializuara me ligje të Kosovës dhe se ky besim ishte ndarë edhe nga Presidenti Hashim Thaçi dhe Kryeparlamentari Kadri Veseli, me të cilët kishte bashkëpunuar në atë periudhë.
“Gjykata u themelua me bindje se do të marrin dënimet e merituara ata për të cilët faktohet se kanë kryer krime. Askujt s’do t’i shkonte mendja se bartësit kryesor të luftës për të mbrojtur pragun e shtëpisë, pjesëmarrës në Rambuje, në bisedimet në Vjenë, në shpalljen e pavarësisë dhe në kundërshtimin e spastrimit etnik, do të cilësoheshin si pjesë e një ndërmarrjeje të përbashkët kriminale”, deklaroi ai.
Mustafa kërkoi solidaritet dhe përkrahje për veteranët e luftës, duke e cilësuar protestën e paralajmëruar më 7 gusht si një “kërkesë paqësore për drejtësi të mirëfilltë”.
“Me Thaçin, Veselin, Krasniqin, Selimin kemi qenë kundërshtarë politikë. Kemi garuar për të bërë Kosovën më mirë. Por, në këtë rast, sikur ta kisha shëndetin, më 7 gusht do të isha edhe unë në Shesh”, përfundoi ai.