Projektet e reja të paneleve diellore hapësinore të zhvilluara nga NASA mund të reduktojnë përdorimin e baterive deri në 70% dhe njëkohësisht të rrisin prodhimin e energjisë elektrike. Një studim i udhëhequr nga King’s College London sugjeron se mbledhja e energjisë diellore nga hapësira mund të jetë çelësi i një të ardhmeje me energji të pastër për Evropën.
Energjia diellore nga hapësira – një koncept i vjetër që po bëhet realitet
Edhe pse ideja e paneleve diellore në hapësirë daton që nga viti 1968, vetëm tani po shihet si një zgjidhje teknologjikisht dhe ekonomikisht e realizueshme.
Studimi tregon se panelet hapësinore mund të ulin deri në 80% varësinë e Evropës nga energjia me erë dhe diell në Tokë, ndërsa kostoja totale e rrjetit energjetik mund të bjerë nga 7 deri në 15% deri në vitin 2050.
Sipas autorit kryesor të studimit, inxhinierit Wei He, avantazhi kryesor është gjenerimi pothuajse i pandërprerë i energjisë:
“Në hapësirë, panelet mund të pozicionohen gjithmonë përballë diellit, gjë që siguron furnizim konstant, ndryshe nga modeli ditor në Tokë,” tha ai.
Si funksionon teknologjia?
Panelet hapësinore do të funksiononin në mënyrë të ngjashme me satelitët e komunikimit. Të vendosura në orbitë, ato do të kapnin rrezet e diellit, do t’i shndërronin në mikrovalë dhe më pas do t’i transmetonin pa tel drejt stacioneve tokësore, ku energjia do të rikthehej në elektricitet për rrjetin energjetik.
Studiuesit modeluan rrjetin energjetik të Evropës duke përdorur dy qasje të NASA-s:
-
Heliostat Swarm Innovative – përdor reflektorë autonomë dhe mund të gjenerojë energji gjatë 99% të vitit, duke ulur nevojën për bateri mbi 70%.
-
Mature Planar Array – më pak efikas, por më i gatshëm për zbatim të shpejtë si projekt pilot.
Sfida dhe kostot
Megjithatë, pengesat ekonomike mbeten të mëdha. Për t’u bërë të qëndrueshme, kostoja e teknologjisë duhet të ulet deri në 14 herë për modelin Heliostat dhe 9 herë për Planar Array, krahasuar me panelet tokësore.
Përveç kostos, kërkohen edhe përparime teknologjike në transmetimin e energjisë pa tel në distanca të gjata dhe në montimin robotik të strukturave të mëdha në orbitë.
Një garë globale për energjinë e së ardhmes
Koncepti po testohen nga disa vende të mëdha, përfshirë Kinën, Japoninë, Rusinë, SHBA-në dhe Mbretërinë e Bashkuar. Kina, sipas ekspertëve të Akademisë Kineze të Shkencave, synon të zhvillojë një strategji kombëtare për të konkurruar me SHBA-në në këtë fushë.
Studimi është botuar në revistën shkencore Joule, duke e zhvendosur idenë e energjisë diellore hapësinore nga një koncept “qiell blu” në një temë konkrete kërkimi dhe diskutimi politik.