Tensionet mes NATO-s dhe Rusisë po rriten pas një serie provokimesh ajrore pranë kufijve të aleancës. Radarët e NATO-s kanë detektuar pesë avionë rusë pranë hapësirës ajrore të Danimarkës, përfshirë një Su-30, një Su-35 dhe tre MiG-31.
Për të parandaluar shkeljen e hapësirës ajrore, NATO aktivizoi menjëherë mekanizmat mbrojtës, duke ngritur në fluturim dy avionë luftarakë hungarezë nga baza ajrore baltike në Lituani.
Edhe SHBA u përball me një situatë të ngjashme në Alaskë, ku interceptoi katër avionë rusë. Komanda e Mbrojtjes Hapësinore të Amerikës së Veriut bëri të ditur se avionët rusë qëndruan në hapësirë ndërkombëtare dhe nuk hynë në hapësirën ajrore amerikane ose kanadeze. Për t’i larguar, u ngritën në fluturim katër avionë amerikanë F-16, si dhe një avion mbikëqyrës.
Pas këtyre incidenteve, ambasadori i Rusisë në Francë, Alexey Meshkov, paralajmëroi se çdo rrëzim i një avioni rus nga NATO do të konsiderohej shpallje lufte.
Ndërkohë, presidenti amerikan Donald Trump, në fjalimin e tij në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së, u bëri thirrje vendeve anëtare të NATO-s që të mos hezitojnë të rrëzojnë avionët rusë në rast të shkeljes së hapësirës ajrore.
Aleanca mbetet në gjendje gatishmërie, pasi vetëm gjatë javës së fundit janë raportuar disa raste të hyrjes së avionëve dhe dronëve rusë në hapësirën ajrore të vendeve të NATO-s në Evropë.