NATO ngre alarmin ndërsa Rusia ka përfunduar zhvillimin e raketës bërthamore Burevestnik, një sistem që aleanca e konsideron si një nga kërcënimet më serioze ndaj mbrojtjes ajrore perëndimore. Dokumenti i klasifikuar i inteligjencës së NATO-s e cilëson këtë raketë si një armë me potencial të jashtëzakonshëm destabilizues.
Raketa, e njohur nga NATO me emërtimin SSC-X-9 Skyfall, mund të arrijë shpejtësi mbi 900 km/h, ka aftësi të larta manovrimi dhe mund të lëshohet nga platforma të lëvizshme – elemente që e bëjnë identifikimin dhe neutralizimin e saj shumë më të vështirë.
Putin njoftoi para tre javësh se raketa ka kaluar testet e suksesshme, ndërsa dokumentet sekrete të NATO-s theksojnë se reaktori bërthamor i integruar i jep raketës një rreze veprimi praktikisht të pakufizuar. Kjo i mundëson të fluturojë për dhjetëra mijëra kilometra, të ndryshojë kurs në çdo moment dhe të godasë objektivat nga drejtimet më të paparashikueshme.
Sipas vlerësimit të NATO-s:
-
Rrezja ekstreme e veprimit dhe manovrat e avancuara “përkeqësojnë ndjeshëm sfidat ekzistuese të mbrojtjes ajrore”.
-
Rruga e fluturimit mund të kalojë nëpër zona ku NATO ka mbikëqyrje minimale, si drejtimet jugore ose polare.
-
Një sistem i këtillë do të paraqiste vështirësi serioze për mbrojtjen e Evropës.
Megjithatë, disa ekspertë theksojnë se Skyfall nuk është hipersonike dhe sa më shumë që qëndron në ajër, bëhet më e prekshme nga ndjekja dhe neutralizimi – por rreziku mbetet i lartë.
Nëse Rusia e vendos në përdorim këtë armë, NATO do të përballet me një kërcënim krejtësisht të ri, shumë më të vështirë për t’u monitoruar dhe për t’u ndalur.

