Shumë bashkatdhetarë tanë që jetojnë dhe punojnë në Austri po presin pagesën e ndihmës familjare për muajin mars. Sipas të dhënave të publikuara nga Finanz.at, pagesat për këtë muaj pritet të transferohen në llogaritë bankare më 6 mars 2026 (e premte).
Në Austri, rreth dy milionë fëmijë përfitojnë çdo muaj nga ndihma familjare, e cila financohet nga Fondi për Barazimin e Barrës Familjare (FLAF). Kjo ndihmë konsiderohet një nga format më të rëndësishme të mbështetjes financiare për familjet me fëmijë.
Pagesat deri më 8 të çdo muaji
Autoritetet austriake kanë vendosur që pagesat e ndihmës familjare të bëhen çdo muaj jo më vonë se data 8, për t’u dhënë familjeve më shumë siguri financiare dhe planifikim më të mirë të buxhetit.
Megjithatë, data e saktë mund të ndryshojë në varësi të fundjavave apo festave zyrtare. Për muajin mars, pagesa do të bëhet më herët, më 6 mars.
Sa para përfitojnë familjet?
Që nga fillimi i vitit 2026, për shkak të pezullimit të indeksimit të përfitimeve familjare, shumat kanë mbetur të njëjta si në vitin 2025.
Ndihma familjare mujore për fëmijë në Austri është:
-
138.40 € për fëmijët nga lindja
-
148.00 € për fëmijët nga 3 vjeç
-
171.80 € për fëmijët nga 10 vjeç
-
200.40 € për fëmijët nga 19 vjeç
Përveç kësaj, familjet marrin edhe kreditin tatimor për fëmijë, i cili është 70.90 € në muaj.
Kjo do të thotë se në total një familje mund të marrë deri në 271.30 € në muaj për një fëmijë, varësisht nga mosha e tij.
Deri në mbi 3 mijë euro në vit për fëmijë
Në nivel vjetor, ndihma familjare dhe krediti tatimor mund të arrijnë deri në 3,255 € për fëmijë, në varësi të moshës.
Megjithatë, për shkak të deficitit buxhetor në Austri, autoritetet kanë vendosur që në vitin 2026 të mos ketë rritje të këtyre përfitimeve, çka sipas vlerësimeve mund të nënkuptojë një humbje reale deri në 100 euro në vit për familje për shkak të inflacionit.
Ndihma familjare në Austri paguhet 12 herë në vit për të gjitha familjet që plotësojnë kushtet për përfitim.

