Të shtunën në Kosovë pritet një ndryshim drastik i motit si pasojë e depërtimit të një cikloni të fuqishëm mesdhetar, i cili vjen nga jugu i Francës përmes Italisë drejt Ballkanit dhe më pas zhvendoset drejt Evropës Lindore.
Gjatë ditës, e sidomos pasdite, do të nisin reshjet e shiut që pritet të intensifikohen herë pas here në mbrëmje dhe gjatë natës. Reshjet do të përfshijnë pothuajse të gjithë territorin e vendit, ndërsa borë pritet vetëm në viset malore më të larta.
Temperaturat do të mbeten relativisht të larta gjatë ditës për shkak të rrymave të ngrohta ajrore nga jugu, me minimale rreth 4°C dhe maksimale deri në 14°C. Me shtimin e reshjeve, pritet edhe ulje graduale e temperaturave.

