Qeveria e Kosova ka marrë vendim për bartjen e Zyrës për çështjet e kategorive të dala nga lufta nga Zyra e Kryeministrit në Ministria për Punë, Familje dhe Vlerat e Luftës Çlirimtare.
Vendimi u miratua në mbledhjen e Qeverisë më 19 mars 2026, ku kryeministri Albin Kurti theksoi se ky hap synon të forcojë përkujdesjen institucionale ndaj kategorive të dala nga lufta.
Sipas tij, zhvendosja e kësaj zyre në një ministri të dedikuar do të mundësojë koordinim më të mirë të politikave dhe shërbimeve për veteranët, invalidët dhe familjet e dëshmorëve.
Zyra për çështjet e kategorive të dala nga lufta funksionon mbi bazën e Ligjit nr. 04/L-054 për Statusin dhe të drejtat e dëshmorëve dhe deri më tani ka vepruar në kuadër të Zyrës së Kryeministrit si organ koordinues qeveritar.
Ajo ka një rol kyç në administrimin dhe mirëmbajtjen e Regjistrit Qendror, i cili përfshin dëshmorët e kombit, invalidët e UÇK-së, veteranët, pjesëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të internuarit, si dhe viktimat dhe invalidët civilë të luftës.
Me këtë vendim, Qeveria synon të rrisë efikasitetin institucional dhe të sigurojë një qasje më të strukturuar në trajtimin e të drejtave dhe nevojave të kategorive që dolën nga lufta, duke i vendosur ato në fokus të drejtpërdrejtë të politikave sociale dhe shtetërore.

