Në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë sot mbahet seanca e radhës në procesin gjyqësor ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Seanca pritet të nisë në orën 09:00 dhe gjatë saj do të dëgjohen deklaratat përmbyllëse të të akuzuarve: Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi.
Ish-komandantët pritet të paraqesin fjalët e tyre përfundimtare para trupit gjykues, në një moment kyç të procesit, përpara se çështja të kalojë në fazën e vendimmarrjes.
Mbrojtja e tyre ka theksuar më herët se klientët janë të pafajshëm dhe se provat e paraqitura nga Prokuroria nuk e mbështesin aktakuzën. Sipas ekipeve mbrojtëse, gjatë procesit nuk është arritur të vërtetohet përgjegjësia individuale e të akuzuarve për krimet e pretenduara.
Seanca e sotme pritet të zgjasë rreth pesë orë, ndërsa pas përfundimit të deklaratave përmbyllëse, trupi gjykues do të tërhiqet për shqyrtimin e provave dhe përgatitjen e vendimit përfundimtar.

