Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka zhvilluar një takim të ngrohtë dhe frymëzues me një grup krijuesish shqiptarë nga diaspora dhe trevat etnike, në prag të edicionit të katërt të Festivalit Poetik të Prishtinës (21–25 janar 2026).
Në postimin e tij në rrjetet sociale, Kurti ka ndarë kënaqësinë që pati nga takimi me deputeten arbëreshe Kryeziu-Hyseni, si dhe me poetët dhe krijuesit nga Mali i Zi: Ali Daci, Nikollë Berishaj, Ismet Kallabaja, Mark Lucgjonaj, Flutur Mustafa-Pllana dhe Ardita Rexha.
Këta autorë po marrin pjesë aktive në festivalin e organizuar nga ObserverKult, ku fokusi i veçantë i këtij edicioni është letërsia shqipe në Malin e Zi, duke përfshirë edhe një homazh për poetin e ndjerë Basri Çapriqi.
Gjatë bisedës, u diskutua për bashkëpunimet kulturore, për rolin e letërsisë në mbajtjen gjallë të lidhjeve midis hapësirave shqiptare të ndara nga kufijtë politikë, si dhe për rëndësinë e festivalit në forcimin e komunikimit artistik dhe prezentimin e krijimtarisë shqipe në Mal të Zi brenda programit të ngjarjes.
Kurti theksoi forcën e poezisë shqipe si simbol i qëndrueshmërisë gjuhësore dhe identitare:
“Poezia shqipe nga Plava e Gucia, Ana e Malit dhe Kraja, Tuzi e Ulqini, është dëshmi e qëndrueshmërisë së gjuhës dhe të dinjitetit kulturor, një mënyrë për ta ruajtur kujtesën dhe për ta shtrirë praninë tonë shpirtërore ndër breza, duke e bërë varrin urë nga një vendbanim te tjetri, nga një kujtim te një ardhme e përbashkët.”
Ky takim vjen si pjesë e angazhimit të vazhdueshëm institucional për mbështetjen e krijimtarisë letrare shqipe kudo ku flitet gjuha jonë, duke nxitur lidhjet midis Prishtinës, diasporës arbëreshe në Itali dhe komuniteteve shqiptare në Malin e Zi.
Festivali Poetik i Prishtinës 2026 pritet të sjellë debate, lexime publike, promovime librash dhe homazhe, duke e kthyer kryeqytetin në qendër të poezisë shqipe për pesë ditë radhazi.
