Kryeministri në detyrë, kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti dhe kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku po takohen sërish tani në Kuvend, për t’i vazhduar bisedimet për gjetjen e një emri konsensual për President të vendit.
Kurti dhe Abdixhiku nuk arritën ndonjë pajtim për emrin e Presidentit apo Presidentes së re, as pas një takimi të radhës, të paparalajmëruar, të shtunën.
“Kur të kemi rezultate nga ana jonë, do të kemi lajme për ju”, iu tha Kurti shkurtimisht gazetarëve të shtunën në mbrëmje, pasi doli nga ai takim.
Ushtruesja e detyrës së Presidentit, anëtarja e Kryesisë së LVV-së, Albulena Haxhiu u shpreh dje optimiste se do të ketë “rezultate pozitive” në bisedimet mes dy partive, duke lënë të kuptohet se dy palët s’janë larg finalizimit të ujdisë. Ajo uroi “që marrëveshja të përmbyllet sa më parë” dhe “që kjo javë që po vjen të jetë vendimtare për për procesin e ardhshëm”.
Deputeti i LVV-së, Adnan Rrustemi tha se në rast të një marrëveshjeje me LDK-në, kryetari i kësaj partie duhet të garantojë për të gjitha votat.
“Ky është një dimension i rëndësishëm, ç’është e vërteta, për shkak edhe të zhvillimeve të brendshme në LDK, por unë nuk mund të flas, le të themi, për sjelljen individuale të deputetëve të LDK-së. Zoti Abdixhiku e përfaqëson LDK-në, zoti Kurti e përfaqëson Vetëvendosjen. As nuk i kemi kërkuar, ç’është e vërteta, sepse ne e trajtojmë formalisht si kryetar të LDK-së. I mbetet zotit Abdixhiku ta menaxhojë grupin e tij parlamentar dhe, në momentin kur dakordohet për emrin, e bëjmë marrëveshje, të garantojë, le të themi, edhe implementimin e kësaj marrëveshjeje nga pozicioni i LDK-së”, tha ai për KosovaPress.
Ky është takimi i katërt mes Kurtit dhe Abdixhikut, prej kur LDK-ja më 13 gusht hoqi dorë nga bisedimet për t’u përfshirë në bashkëqeverisje me LVV-në dhe nga kërkesa për pozitën e shefit të shtetit.

