Një tjetër rast i trafikimit të armëve nga Kosova drejt Shqipërisë është goditur nga strukturat e Policisë së Tiranës, pas disa javësh hetime me metoda proaktive.
Në pranga ka rënë Dugagjin Berisha, 27 vjeç, banues në Kosovë, i cili u arrestua në flagrancë teksa udhëtonte me automjetin e tij tip “Volkswagen”, në dalje të Unazës së Madhe, pranë mbikalimit të Tufinës. I riu ishte nisur për të shitur armët në zonën e Freskut, në Tiranë.
Gjatë kontrollit të automjetit, shërbimet e Policisë kanë gjetur të fshehura nën kofanon e makinës:
-
10 pistoleta të tipit “Glock”,
-
së bashku me municion luftarak.
Nga hetimet ka rezultuar se Berisha kishte futur në Shqipëri 12 pistoleta, nga të cilat 2 armë i kishte shitur më herët agjentëve të infiltruar, ndërsa 10 të tjera do t’i shiste në momentin e arrestimit.
Operacioni policor i koduar “Barriera” u finalizua nga Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit Nr. 4, në bashkëpunim me Forcën Operacionale të DVP Tiranë, nën drejtimin e Prokurorisë së Tiranës.
Sipas njoftimit zyrtar të Policia e Shtetit, hetimet vijojnë për identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme ligjore.

