Në një rrugëtim që sfidon temperaturat e verës dhe relievin e ashpër ballkanik, Klubi Motoristik “Plisat” ka mbërritur në Kosovë për të shënuar 20-vjetorin e themelimit. Ata janë nisur nga Zvicra, duke përshkuar tetë shtete europiane deri në Prizren, me një mesazh të qartë: “Nuk jemi këtu për shëtitje, këtë rrugë e bëjmë për flamurin dhe për atdheun.”
Në këtë ekspeditë mbresëlënëse, pjesëmarrësit nuk janë thjesht entuziastë të katërçiklave – ata janë simbol i një komuniteti që mban gjallë lidhjen me rrënjët. Sahit Karakushi, 63-vjeçar, ndër më të vjetrit në grup dhe një figurë emblematike e “Plisave”, tregon:
“Kam mbi 40 vjet mbi motor. Kjo rrugë është përkushtim, jo vetëm pasion. E bëjmë për atdheun.”
Pas ngjarjes festive në Prizren, një pjesë e grupit u nis drejt kufirit me Shqipërinë, përmes një itinerari sfidues që kalon nëpër rrugë malore e fshatra historikë. Ndalesat përfshijnë Pasha Çesmen – burim i lashtë ku dikur pushonin karvanët osmanë, ndërsa sot ndalet karvani i katërçiklave shqiptarë.
“Këto janë shtigje që kanë kujtesë. Dikur ndalonin ushtarë e tregtarë. Sot ndalemi ne – bijtë e kësaj toke,” thotë Bashkim Rakaj, një tjetër anëtar i grupit.
Rruga kalon përmes fshatrave Leskovec, Lubiçevë dhe Billushë, duke përfunduar në Dragash dhe më pas në Shishtavec të Kukësit. Në kufi, grupi ndalet në liqenin e Thatë të Vermicës – një pikë simbolike që, sipas tyre, mund të bëhet urë lidhëse në të ardhmen jo vetëm në tokë por edhe përmes ujërave.
“Nëse ujërat ngrihen dhe bëhet marrëveshje mes dy shteteve, këtu mund të lundrosh deri në Fierzë. Do të lidhim tokën dhe ujin mes nesh,” përfundon Rakaj.
Ky udhëtim, edhe pse mbart atmosferë aventure dhe sfide, është mbi të gjitha një dëshmi e ruajtjes së identitetit kombëtar, përkushtimit ndaj atdheut dhe forcimit të lidhjeve shpirtërore me vendlindjen. Klubi “Plisat” nuk përshkon vetëm rrugë – ai përshkon kujtesën, përkatësinë dhe historinë.