E shtuna pritet të sjellë një ditë të ngrohtë dhe me diell në mbarë Kosovën dhe rajonin, duke krijuar ndjesinë e një moti pranveror në mesin e vjeshtës.
Në orët e para të mëngjesit, temperaturat do të jenë të ulëta, ndërsa në disa zona pritet mjegull e lehtë dhe brymë afatshkurtër. Megjithatë, pas lindjes së diellit, temperaturat do të rriten ndjeshëm, duke arritur maksimumin deri në 22 gradë Celsius në shumë pjesë të vendit.
Në Shqipëri, Maqedoninë e Veriut, Luginën e Preshevës dhe Mal të Zi, e shtuna do të karakterizohet nga mot i qëndrueshëm, me diell dhe vranësira lokale, duke krijuar kushte pothuajse verore në disa zona të ultësirës shqiptare.
Sipas parashikimeve, vetëm në jug të Shqipërisë priten vranësira më të dendura, me mundësi për ndonjë rigë të dobët shiu, por pa ndikim të ndjeshëm në motin e përgjithshëm të ditës.
Meteorologët paralajmërojnë se ky ngrohje e përkohshme e motit është rezultat i rrymave të ngrohta ajrore nga jugu, ndërsa ditët në vijim pritet që temperaturat të kthehen gradualisht në vlera më tipike për nëntorin.

