Elita politike dhe ekonomike e botës mblidhet sot në resortin alpin të Davosit për edicionin e 56-të të Forumi Ekonomik Botëror, një nga ngjarjet më të rëndësishme vjetore në arenën globale.
Takimi, që do të zgjasë deri më 23 janar, zhvillohet nën moton “Fryma e dialogut”, duke synuar të nxisë bashkëpunimin ndërkombëtar në një kohë të tensioneve gjeopolitike, pasigurive ekonomike dhe transformimeve të shpejta teknologjike.
Sipas organizatorëve, rreth 3,000 pjesëmarrës nga 130 vende pritet të marrin pjesë këtë vit, përfshirë afërsisht 400 zyrtarë të lartë politikë, rreth 65 krerë shtetesh dhe qeverish, si dhe 850 drejtorë ekzekutivë dhe presidentë të korporatave më të mëdha në botë.
Vëmendja te Trump dhe gjeopolitika globale
Një nga figurat më të ndjekura në Davos pritet të jetë Donald Trump, i cili sipas mediave do të mbërrijë me një delegacion të gjerë amerikan. Në mesin e tij përfshihen Sekretari i Thesarit, Scott Bessent, si dhe i dërguari special për Lindjen e Mesme, Steve Witkoff.
Sesione të veçanta do t’i kushtohen gjeopolitikës, rritjes ekonomike dhe riorientimit të bashkëpunimit global, në një kohë kur aleancat tradicionale janë nën presion dhe besimi ndërkombëtar po sfidohet.
Ekonomia, teknologjia dhe inteligjenca artificiale
Në qendër të diskutimeve do të jenë:
-
menaxhimi i rrezikut gjeopolitik dhe pasigurisë ekonomike,
-
forcimi i qëndrueshmërisë dhe konkurrueshmërisë globale,
-
rritja gjithëpërfshirëse dhe zhvillimi brenda kufijve planetarë.
Një prioritet i veçantë do t’i kushtohet përdorimit të përgjegjshëm të teknologjive transformuese, përfshirë inteligjencën artificiale gjeneruese, e cila po ndryshon mënyrën e punës, prodhimit dhe vendimmarrjes në shkallë globale.
Dimensioni njerëzor në fokus
Udhëheqësit botërorë do të diskutojnë gjithashtu për ndikimin e ndryshimeve teknologjike te njerëzit, duke theksuar:
-
ndërtimin e fuqisë punëtore elastike,
-
tranzicionin e aftësive,
-
përmirësimin e mirëqenies sociale dhe ekonomike.
Po ashtu, do të trajtohen rrugët për një zhvillim të qëndrueshëm në fushën e energjisë, natyrës dhe burimeve ujore, në përputhje me objektivat klimatike globale.
Forumi i Davosit edhe këtë vit pritet të shërbejë si barometër i drejtimit të botës, duke ofruar sinjale të qarta për prioritetet politike, ekonomike dhe teknologjike të periudhës që vjen.

