Qendra.Info – Kupa e Botës për Klube ka nisur zyrtarisht në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, me një përballje interesante mes ekipit egjiptian Al Ahli dhe Inter Miami, e cila përfundoi pa gola (0:0).
Ndeshja e parë e turneut u zhvillua në stadiumin “Hard Rock” në Miami, ku egjiptianët patën dominimin në pjesën e parë dhe madje patën mundësinë të kalonin në epërsi pas një penalltie të fituar në fundin e pjesës së parë.
Megjithatë, goditja e ish-lojtarit të Aston Villës, Mahmoud Trezeguet, u ndal nga portieri i Inter Miami, Oscar Ustari, duke i mohuar Al Ahli një fillim të shkëlqyer në këtë turne prestigjioz.
Në pjesën e dytë, vëmendja u përqendrua te Lionel Messi, i cili u aktivizua me më shumë intensitet, duke krijuar disa raste të rrezikshme për ekipin e tij. Megjithatë, përpjekjet e argjentinasit dhe të skuadrës amerikane nuk mjaftuan për të gjetur rrjetën.
Barazimi pa gola lë të hapur garën në grup, ndërsa vëmendja tashmë zhvendoset te ndeshjet e radhës të këtij turneu që zhvillohet nga 15 qershori deri më 13 korrik në disa shtete amerikane.