Në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve (QNR) ka filluar numërimi i fletëvotimeve që i takojnë votimit të realizuar në përfaqësitë diplomatike të Republikës së Kosovës.
Lajmin e ka bërë të ditur zëdhënësi i Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, Valmir Elezi, gjatë një konference për media të mbajtur të premten.
Sipas Elezit, më 27 dhjetor 2025 është zhvilluar votimi fizik në 29 përfaqësi diplomatike të Kosovës, të vendosura në 18 shtete të ndryshme të botës, ku kishin të drejtë vote shtetasit e regjistruar paraprakisht për këtë formë votimi.
“Nga 19,187 shtetasit e regjistruar për të votuar në përfaqësi diplomatike, kanë votuar 16,165 prej tyre, apo 84.24 për qind. Këto fletëvotime tashmë do t’i nënshtrohen procesit të numërimit”, ka deklaruar Elezi.
Mbi 27 mijë vota të aprovuara nga votimi me postë
Pas përfundimit të numërimit të votave nga përfaqësitë diplomatike, KQZ do të vazhdojë me numërimin e fletëvotimeve nga votimi përmes postës, të cilat deri më tani janë tërhequr nga dy kuti postare jashtë Kosovës, konkretisht në Berlin dhe Bernë.
Elezi bëri të ditur se deri më tani janë tërhequr mbi 28,500 pako me fletëvotime nga votimi me postë, nga të cilat pas vlerësimit dhe verifikimit janë aprovuar 27,600, ndërsa më shumë se 950 janë refuzuar.
“Arsyeja kryesore e refuzimit të zarfeve ka qenë mungesa e dëftesës së regjistrimit të votuesit brenda pakos me fletëvotim. Në procesin e numërimit do të përfshihen vetëm 27,600 zarfe të aprovuara”, tha ai.
Procesi i votimit me postë ende nuk ka përfunduar
Sipas KQZ-së, për votimin përmes postës ishin të regjistruar rreth 58 mijë shtetas, ndërsa procesi i tërheqjes së fletëvotimeve nga kutitë postare ende nuk ka përfunduar.
Elezi sqaroi se tërheqjet e fundit të zarfeve me fletëvotime do të realizohen më 2 dhe 5 janar 2026, pas së cilës do të dihet numri i saktë i votuesve që kanë ushtruar të drejtën e votës përmes postës.
Rezultatet përfundimtare pritet të shpallen së shpejti
Në fund, Elezi theksoi se Komisioni Qendror i Zgjedhjeve po vazhdon të gjitha aktivitetet për shpalljen sa më të shpejtë të rezultateve përfundimtare të zgjedhjeve të parakohshme për Kuvendin e Kosovës, të mbajtura më 28 dhjetor 2025.
Sipas tij, pritet që numërimet në Qendrat Komunale të Numërimit të përmbyllen gjatë fundjavës.

