Prishtinë, 31 tetor 2025 – Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka nisur takimet me liderët e partive politike, pas dështimit të kryeministrit në detyrë Albin Kurti për të siguruar votat e nevojshme në Kuvend për formimin e Qeverisë së re.
Takimi, i thirrur në ambientet e Presidencës, ka për qëllim gjetjen e një kompromisi politik për të shmangur një krizë të mundshme institucionale dhe për të siguruar funksionimin e institucioneve të vendit.
Burime nga Presidenca bëjnë të ditur se Osmani pritet të theksojë rëndësinë e miratimit të buxhetit të Kosovës për vitin e ardhshëm, si dhe miratimin e Planit të Rritjes së Bashkimit Evropian, dokument ky që parashikon mbështetje financiare dhe reformash për vendet e Ballkanit Perëndimor.
Sipas Kushtetutës së Kosovës, presidentja duhet të caktojë një mandatar të ri për formimin e Qeverisë brenda 10 ditësh nga momenti i dështimit të mandatarit të parë.
Megjithatë, ende nuk është e qartë nëse do të ketë një emër të ri për kryeministër, pasi partitë politike po tregojnë mungesë vullneti për të arritur një marrëveshje koalicioni.

