Sot ka nisur zyrtarisht viti i ri shkollor 2025/2026 në të gjitha institucionet publike dhe private të arsimit parauniversitar në vend.
Përveç organizimit të procesit mësimor, Ministria e Arsimit ka theksuar se ka vazhduar edhe programi i subvencionimit të teksteve dhe materialeve mësimore përmes platformës e-Kosova, me qëllim që çdo nxënës të përfitojë nga ky projekt.
Ministrja në detyrë e Arsimit, Arbërie Nagavci, deklaroi për RTK-në se të gjitha përgatitjet e nevojshme janë bërë për një fillim të mbarë të vitit shkollor.
“Si Ministri e Arsimit i kemi bërë të gjitha përgatitjet e nevojshme për fillimin e vitit të ri shkollor, dhe raportimet nga komunat tregojnë se punët po ecin mirë”, tha Nagavci.
Ajo shtoi se tashmë janë kryer edhe pagesat e para për subvencionimin e teksteve.
“Janë mbi 180 mijë prindër apo kujdestarë të cilët kanë aplikuar. Deri tani është realizuar pagesa për mbi 70% të tyre, që përkthehet në më shumë se 9 milionë euro”, theksoi ministrja.
Fillimi i vitit shkollor shënon edhe angazhimin e institucioneve për të siguruar kushte më të mira për nxënësit, duke u fokusuar si në procesin mësimor, ashtu edhe në mbështetjen financiare për familjet.