Anëtari i Nisma Socialdemokrate, Vesel Krasniqi, ka deklaruar se kryetari i këtij subjekti politik, Fatmir Limaj, është kandidati më i përshtatshëm për pozitën e presidentit të Kosovës.
Përmes një postimi publik, Krasniqi e ka cilësuar Limajn si një figurë unifikuese në skenën politike të vendit, duke theksuar kontributin e tij në periudha të rëndësishme të historisë dhe zhvillimit politik të Kosovës.
Sipas tij, Limaj është një personalitet i njohur në jetën politike dhe historike të vendit dhe një nga figurat që ka dhënë kontribut të madh gjatë luftës së viteve 1998–1999 si komandant në kuadër të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Krasniqi ka theksuar se pas përfundimit të luftës, Limaj ka vazhduar angazhimin e tij në politikë, duke mbajtur disa funksione të rëndësishme shtetërore. Ai ka qenë deputet në disa legjislatura të Kuvendit të Kosovës dhe ministër i Transportit dhe Post-Telekomunikacionit në periudhën 2007–2010.
Sipas tij, gjatë kësaj periudhe janë realizuar projekte të mëdha infrastrukturore në vend, përfshirë ndërtimin e autostradës Morinë–Merdarë dhe investime të rëndësishme në Aeroportin Ndërkombëtar “Adem Jashari”, që konsiderohen ndër investimet më të mëdha publike në Kosovë pas luftës.
Në fund të deklaratës së tij, Krasniqi u ka bërë thirrje partive politike, si në pushtet ashtu edhe në opozitë, që ta mbështesin Limajn për postin e presidentit.
“Ftoj pozitën dhe opozitën që ta zgjedhin për president të Kosovës njeriun unifikues, të dëshmuar në çdo etapë të zhvillimeve politike në vend”, ka deklaruar ai.

