Në prag të zgjedhjeve të 28 dhjetorit, kandidatja e NISMËS Socialdemokrate, Marigona Hoti (Nr. 48), ka shpërndarë mesazhin e saj publik, duke theksuar se angazhimi i saj politik buron nga përvoja personale, puna në komunitet dhe përkushtimi në shërbim të interesit publik.
Hoti, e cila vjen nga Komuna e Malishevës, kujton rrugëtimin e saj duke nisur nga angazhimet në shkollë e në komunitet, e deri te roli i saj si zyrtare komunale që nga viti 2012. Ajo thotë se gjatë gjithë këtyre viteve është përpjekur të jetë shembull i integritetit, profesionalizmit dhe përkushtimit.
Pasi u diplomua në Fakultetin e Arteve në drejtimin Dizajn Mode, Hoti vazhdoi studimet master në Menaxhment dhe Financa, duke ndërtuar një profil të dyfishtë profesional. Paralelisht me punën në sektorin publik, në vitin 2017 ajo themeloi një biznes të veshjeve për gra, ku ka punësuar dhe mbështetur dhjetëra zonja të fushës.
“Në Kuvendin e Kosovës, sikurse në çdo detyrë që kam kryer, do të jem Marigona Hoti – zëri i të gjithë atyre që për shumë arsye nuk dëgjohen,” ka deklaruar ajo. Hoti thotë se NISMA është platforma e vetme politike ku idetë e grave, të rinjve dhe profesionistëve gjejnë hapësirë të vërtetë.
Ajo thekson se kandidimi i saj nuk vjen për privilegj, por për përgjegjësi dhe përpjekje që zëri i kësaj rruge politike të rikthehet në Kuvend.
“Ky është rrugëtimi im, kjo është përpjekja ime,” përmbyll Hoti, duke kërkuar mbështetjen e qytetarëve në misionin e saj politik.

