Vendimi për tarifat e reja të energjisë elektrike nuk pritet të merret para 31 marsit, ndonëse ato ishte paraparë të hynin në fuqi nga 1 prilli.
Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRRE) ka bërë të ditur për Dukagjinin se aktualisht është duke finalizuar shqyrtimin e aplikimeve të dorëzuara nga operatorët e licencuar, përfshirë KESCO-n, KEDS-in dhe KOSTT-in.
Pas përfundimit të këtij procesi, ZRRE do të përgatisë dhe publikojë Raportin Konsultativ, për të hapur më pas fazën e konsultimit publik, ku do të mblidhen komentet e palëve të interesuara.
“Pas përfundimit të konsultimit publik dhe shqyrtimit të të gjitha komenteve të pranuara, pritet të mbahet mbledhja e Bordit të ZRRE-së për shqyrtimin përfundimtar dhe marrjen e vendimit për tarifat e reja të energjisë elektrike. Data e saktë e mbledhjes do të bëhet publike në kohën e duhur, në përputhje me procedurat e ZRRE-së”, thuhet në përgjigjen e këtij institucioni.

