E përditshmja amerikane The New York Times ka raportuar se Iran po përgatitet për një skenar të mundshëm sulmi nga Shtetet e Bashkuara, ndërsa tensionet në rajon vazhdojnë të rriten.
Sipas analizës së publikuar nga media amerikane, që nga fillimi i janarit, ndërkohë që vendi përballej me protesta të brendshme dhe kërcënime nga SHBA, udhëheqësi suprem Ali Khamenei i është drejtuar një prej bashkëpunëtorëve të tij më të besuar, Ali Larijani, për të menaxhuar situatën në një fazë të ndjeshme për shtetin iranian.
Larijani, 67 vjeç, ish-komandant i Gardës Revolucionare dhe aktualisht drejtues i Këshillit të Lartë të Sigurisë Kombëtare, raportohet se ka marrë një rol dominues në menaxhimin e çështjeve të sigurisë dhe politikës së jashtme. Sipas raportimit, ai po e lë në hije edhe presidentin Masoud Pezeshkian, i cili është përballur me kritika dhe sfida gjatë mandatit të tij.
Burime të cituara nga media amerikane, përfshirë zyrtarë iranianë dhe anëtarë të Gardës Revolucionare, thonë se Larijani ka qenë përgjegjës për menaxhimin e protestave të fundit në vend dhe për koordinimin e marrëdhënieve me aleatë si Rusia, si dhe me aktorë rajonalë si Katari dhe Omani.
Po ashtu, ai thuhet se mbikëqyr negociatat bërthamore me Shtetet e Bashkuara dhe harton skenarë për administrimin e vendit në rast të një konflikti të mundshëm.
Në një intervistë për Al Jazeera, gjatë një vizite në Katar, Larijani deklaroi se Irani është i përgatitur për çdo zhvillim.
“Jemi më të fortë se më parë. Kemi identifikuar dobësitë tona dhe i kemi korrigjuar. Nuk kërkojmë luftë dhe nuk do ta nisim ne, por nëse na imponohet, do të përgjigjemi”, tha ai.
