Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë ka ngritur shqetësime serioze lidhur me afatin e afërt të liberalizimit të tregut të energjisë, duke vlerësuar se vendi nuk është i përgatitur për një tranzicion të tillë kompleks dhe me ndikim të madh në ekonominë vendore.
Në një reagim zyrtar, Oda thekson se mungesa e konkurrencës reale në treg, së bashku me afatin e shkurtër të zbatimit, nuk u ka dhënë bizneseve as kohën e nevojshme për përgatitje, as hapësirën për implementimin e masave mbështetëse gjatë kësaj periudhe kalimtare.
“Shqetësimet e komunitetit të biznesit janë shtuar ndjeshëm pas ofertave të para nga furnizuesit alternativë të energjisë, ku parashikohet një rritje mbi 200% e tarifave. Një zhvillim që bie ndesh me pritjet fillestare se liberalizimi do të sillte ulje të çmimeve përmes konkurrencës,” thuhet në deklaratën e Odës, transmeton Klankosova.tv.
Sipas saj, rritja e çmimeve të energjisë pritet të ketë efekt zinxhir në të gjithë sektorët ekonomikë, përfshirë prodhimin, përpunimin, shërbimet, tregtinë dhe teknologjinë, duke rrezikuar qëndrueshmërinë financiare dhe atraktivitetin për investime.
Oda Amerikane gjithashtu e kundërshton krahasimin me vendet e rajonit, duke theksuar se, ndryshe nga Kosova, ato vende kanë qasje në burime alternative si gazi natyror. “Në Kosovë, për shkak të vendimmarrjeve të gabuara në të kaluarën, projektet për ndërtimin e infrastrukturës së gazit janë braktisur, duke e lënë energjinë elektrike si burimin e vetëm për nevoja industriale,” thuhet më tej.
Një tjetër shqetësim i ngritur është edhe mosfunksionimi i Kuvendit të Kosovës. Sipas Odës, kjo situatë duhet të përbëjë një arsye të fortë për shtyrjen e liberalizimit, pasi Zyra e Rregullatorit të Energjisë, si institucion i pavarur, është llogaridhënës para deputetëve.
Oda Amerikane u bën thirrje institucioneve dhe politikëbërësve të shtyjnë afatin përtej 1 qershorit 2025 dhe paralelisht të miratojnë legjislacionin dytësor për të mundësuar investime në teknologji për ruajtjen e energjisë, sisteme me efikasitet të lartë dhe teknologji të ripërtëritshme, përmes skemave nxitëse tatimore dhe doganore.
“Pa këto masa, liberalizimi rrezikon të sjellë më shumë dëm sesa përfitim për zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik të vendit,” përfundon deklarata.