Organizata e Kombeve të Bashkuara (OKB) ka njoftuar se do të shkurtojë 25% të forcës së saj paqeruajtëse në mbarë botën, si pasojë e mungesës së fondeve nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Vendimi i rëndësishëm vjen në kohën kur Uashingtoni po zbaton politikën e Presidentit Donald Trump “Amerika e Para”, që parasheh reduktimin e mbështetjes financiare për organizatat ndërkombëtare.
Sipas një zyrtari të lartë të OKB-së, i cili foli në kushte anonimiteti, afro 13,000 deri në 14,000 ushtarë dhe oficerë policie do të tërhiqen nga misionet aktuale në nëntë vende, përfshirë Kongon, Sudanin e Jugut, Republikën Qendrore Afrikane, Libanin, Qipron dhe Kosovën.
OKB-ja planifikon gjithashtu një ulje prej 15% të buxhetit të përgjithshëm për ruajtjen e paqes për vitin e ardhshëm fiskal. Këto shkurtime do të ndikojnë drejtpërdrejt në misionet më të rëndësishme të organizatës, përfshirë edhe zyrën e mbështetjes në Somali.
Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres, ka paralajmëruar se me një buxhet që përfaqëson “rreth gjysmën e një përqind të shpenzimeve ushtarake globale”, paqeruajtja e OKB-së mbetet një nga mënyrat më efektive dhe më ekonomike për të ndërtuar sigurinë ndërkombëtare.
Vendimi për reduktimin e trupave paqeruajtëse u mor pas një takimi të Guterres me përfaqësues nga vendet donatore, përfshirë ambasadorin e ri të SHBA-së në OKB, Mike Waltz. Ky i fundit ka deklaruar se administrata amerikane kërkon që OKB-ja të përqendrohet në “promovimin dhe zbatimin e paqes”, duke hequr dorë nga “shpenzimet e panevojshme”.
SHBA-të, të cilat më parë kontribuan rreth 1 miliard dollarë në misionet paqeruajtëse, kanë reduktuar ndjeshëm kontributin në vetëm 680 milionë dollarë. Së bashku me Kinën, dy vendet përbëjnë pothuajse gjysmën e të gjithë buxhetit të OKB-së për paqeruajtjen, ndërsa Pekini ka konfirmuar se do të paguajë pjesën e tij të plotë deri në fund të vitit.
Ndërkohë, më shumë se 60 zyra dhe agjenci të OKB-së me seli në Nju Jork pritet të përballen me shkurtime prej 20% të vendeve të punës, në kuadër të reformave që Guterres po zbaton për të përballuar krizën buxhetore të shkaktuar nga vendimet e Uashingtonit.
Kjo është një nga lëvizjet më të mëdha në dekada që ndikon drejtpërdrejt në praninë globale të OKB-së dhe rolin e saj si garant i paqes ndërkombëtare.