Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara do të mblidhet të shtunën, më 9 gusht, në një seancë urgjente për të diskutuar planin e qeverisë izraelite për të marrë kontrollin e Rripit të Gazës. Kjo lëvizje ka ngjallur shqetësime serioze në qarqet diplomatike ndërkombëtare, ndërsa Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres, ka paralajmëruar për një përshkallëzim të rrezikshëm në rajon.
“Jam thellësisht i shqetësuar nga vendimi i Izraelit për të marrë kontrollin e Gazës. Kjo mund të përkeqësojë krizën humanitare për miliona palestinezë dhe të rrezikojë jetën e shumë të tjerëve, përfshirë pengjet e mbetura. Apeloj për një armëpushim të menjëhershëm dhe të përhershëm, ndihmë humanitare pa pengesa dhe lirimin e të gjithë pengjeve pa kushte,” deklaroi Guterres në një postim në platformën “X”.
Netanjahu: Nuk do të pushtojmë, do të çlirojmë Gazën
Në anën tjetër, kryeministri izraelit Benjamin Netanjahu ka mohuar që Izraeli synon një pushtim të plotë të Gazës. Sipas tij, qëllimi është çlirimi i territorit nga Hamasi dhe vendosja e një administrate civile paqësore, që nuk kontrollohet as nga Hamasi, as nga Autoriteti Palestinez, e as nga ndonjë organizatë që Izraeli e konsideron terroriste.
“Ne nuk do ta pushtojmë Gazën – do ta çlirojmë atë nga Hamasi. Gaza do të çarmatose dhe do të ketë një administratë civile paqësore,” shkroi Netanjahu në rrjetin “X”. Ai shtoi se ky plan është thelbësor për sigurinë e Izraelit dhe për çlirimin e pengjeve.
Sipas raportimeve nga mediat izraelite, termi “pushtim” është shmangur në dokumentet zyrtare, për të mos marrë përsipër përgjegjësi ligjore ndërkombëtare që lidhen me administrimin civil të territorit.
Tension me Gjermaninë për shkak të embargo-s së armëve
Ndërkohë, kryeministri izraelit ka zhvilluar një bisedë telefonike me kancelarin gjerman Friedrich Merz, ku ka shprehur pakënaqësinë për vendimin e Berlinit që të pezullojë eksportet e armëve drejt Izraelit. Kjo masë erdhi si reagim ndaj shqetësimeve ndërkombëtare për përdorimin e armëve në operacionet ushtarake në Gaza.
“Në vend që të mbështesë luftën e drejtë të Izraelit kundër Hamasit, Gjermania po ndëshkon Izraelin dhe po shpërblen terrorizmin duke vendosur embargo armësh,” thuhet në deklaratën zyrtare të zyrës së kryeministrit.
Në fund të deklarimit të tij, Netanjahu përsëriti se objektivi i Izraelit nuk është pushtimi i Gazës, por çlirimi i saj dhe krijimi i një të ardhmeje më të sigurt si për izraelitët, ashtu edhe për palestinezët.