Policia e Kosovës ka zhvilluar një operacion të suksesshëm antidrogë në kryeqytet, duke sekuestruar lëndë narkotike të llojeve të ndryshme dhe duke arrestuar një të dyshuar.
Sipas Drejtorisë për Hetimin e Trafikimit me Narkotikë, gjatë mbrëmjes së 18 shtatorit, hetuesit kanë zbatuar një plan taktik për ndalimin e dy personave të dyshuar për trafikim me narkotikë.
Në njërin automjet të ndalur, tek një i dyshuar u gjetën 0.6 gramë kokainë dhe 3.5 gramë marihuanë. Një tjetër i dyshuar tentoi të ikte, duke braktisur veturën, nga e cila policia sekuestroi 41.8 gramë marihuanë, 180 euro dhe një telefon celular.
Kontrollet e mëtejshme, të autorizuara nga prokuroria, zbuluan edhe më shumë sasi narkotikësh. Në banesën e njërit prej të dyshuarve u gjetën pesë qese me gjithsej 545.6 gramë marihuanë, një peshore precize dhe prova të tjera. Ndërsa në banesën e tjetrit u zbuluan 9.2 gramë marihuanë, 15 kuti plastike me kërpudha narkotike dhe 179 kavanozë me fara për prodhimin e kërpudhave narkotike.
Me vendim të prokurorit, i dyshuari L. A., mashkull kosovar, është ndaluar për 48 orë. Hetimet për rastin janë duke vazhduar.