Sot, Shërbimi Korrektues i Kosovës ka realizuar një operacion të gjerë bastisjeje në Qendrën Korrektuese të Dubravës, me qëllim parandalimin e veprimtarive të kundërligjshme dhe forcimin e sigurisë brenda institucionit.
Gjatë aksionit, zyrtarët korrektues kontrolluan të gjitha hapësirat e brendshme, përfshirë dhomat e të burgosurve, si dhe hapësirat e jashtme, kuzhinën, lavanderinë, sallën e sportit dhe ambientet përcjellëse.
Në bastisje morën pjesë edhe zyrtarë korrektues nga institucione të tjera dhe njësiti special K9, duke siguruar një kontroll të plotë dhe të koordinuar.
Pas përfundimit të operacionit, nuk u gjet asnjë send i kundërligjshëm, duke bërë që rezultati i aksionit të jetë negativ.
Shërbimi Korrektues i Kosovës falënderon të burgosurit për mirëkuptimin dhe bashkëpunimin gjatë aksionit, i cili ka pasur si qëllim rritjen e sigurisë dhe mbajtjen e një ambienti korrektues të qetë dhe të sigurt.