Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka konfirmuar se është duke zhvilluar një operacion të gjerë policor në Komunën e Zubin Potokut dhe Zveçanit, në kuadër të hetimeve për disa vëpra të rënda penale.
Sipas njoftimit zyrtar, hetuesit nga Drejtoria për Hetimin e Krimit të Organizuar dhe Krimeve të Rënda po zbatojnë urdhër të Gjykatës, të lëshuar me kërkesë të Prokurorisë Speciale, për të kryer bastisje në nëntë (9) lokacione të ndryshme.
Vepra penale që janë objekt hetimi përfshijnë:
-
Rrezikimin e personelit të Kombeve të Bashkuara ose personelit në marrëdhënie me to;
-
Vrasje të rëndë;
-
Sulm ndaj personit zyrtar gjatë kryerjes së detyrës zyrtare.
Operacioni është duke u zhvilluar me mbështetjen e njësive relevante të Policisë së Kosovës, ndërsa zyrtarët e Prokurorisë kanë bërë të ditur se veprimet hetimore po kryhen në përputhje me Kodin e Procedurës Penale të Kosovës.
“Prokuroria Speciale, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, është duke ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore. Publiku do të njoftohet me detaje pas përfundimit të operacionit,” – thuhet në komunikatën zyrtare.