Prokuroria Themelore në Mitrovicë, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës – Drejtorinë për Hetimin e Krimit të Organizuar dhe Krimeve të Rënda, ka zhvilluar një operacion të gjerë policor në tri lokacione të komunës së Vushtrrisë.
Sipas njoftimit zyrtar, operacioni është realizuar në bazë të urdhëresës së Gjykatës Themelore në Mitrovicë, dega Vushtrri, për kontrollin e shtëpive të katër personave të dyshuar. Që nga orët e hershme të mëngjesit janë bastisur tri lokacione – dy në fshatin Ropicë dhe një në qytetin e Vushtrrisë.
Si rezultat, janë arrestuar tre persona të dyshuar për kryerjen e veprës penale “Detyrimi”, ndërsa një person tjetër, i cili ka qenë në arrati, është kapur për veprat penale “Lëndim i lehtë trupor” dhe “Arratisja e personave të privuar nga liria”.
Me vendim të prokurorit, katër të dyshuarit janë ndaluar për 48 orë, ndërkohë që hetimet dhe operacioni policor janë ende në vazhdim.