Sipas Miami Herald dhe Wall Street Journal, Shtetet e Bashkuara janë gati të ndërmarrin sulme ajrore ndaj bazave ushtarake dhe të drogës në Venezuelë, me në shënjestër “Kartelin e Soles”, që Uashingtoni e akuzon për lidhje të drejtpërdrejtë me regjimin e presidentit Nicolás Maduro.
Burime anonime të cituara nga Miami Herald pohojnë se operacionet mund të fillojnë “brenda orëve ose ditëve në vijim”, edhe pse vetë presidenti Donald Trump i mohoi publikisht këto plane. “Administrata Trump ka marrë vendimin për të goditur objektivat brenda Venezuelës,” thuhet në raport, duke përmendur se faza e dytë e fushatës kundër regjimit të Maduros është tashmë në lëvizje.
Në një reagim të menjëhershëm, Maduro i ka telefonuar presidentit rus Vladimir Putin dhe ka kërkuar ndihmë ushtarake nga Moska, Pekini dhe Teherani, sipas burimeve të Washington Post. Burime në Karakas konfirmojnë se Venezuela ka kërkuar pajisje dhe asistencë ushtarake emergjente për të “forcuar mbrojtjen kombëtare”.
Trump, i pyetur nga gazetarët gjatë fluturimit me Air Force One, deklaroi:
“Për momentin nuk po shqyrtojmë sulme ndaj Venezuelës,”
por analistët ushtarakë thonë se dislokimi masiv detar në Karaibe flet ndryshe. Sipas tyre, me ardhjen e aeroplanmbajtëses gjigante USS Gerald Ford – “anija më vdekjeprurëse e Marinës amerikane” – çdo lëvizje amerikane pritet të marrë formë konkrete.
Wall Street Journal raporton se shënjestrat kryesore janë instalime të kontrolluara nga “Karteli i Soles”, që sipas hetimeve amerikane eksporton mbi 500 tonë kokainë në vit drejt Evropës dhe SHBA-së. Në krye të këtij rrjeti, sipas Uashingtonit, qëndron ministri venezuelan i Brendshëm, Diosdado Cabello, i cilësuar si “mjeshtri i kukullave” i regjimit Maduro.
Burime në Pentagon pohojnë se edhe vetë Maduro mund të jetë në shënjestër, ndërsa një senator republikan nga Florida i ka bërë thirrje atij publikisht të “arratiset në Kinë ose Rusi, sa pa qenë vonë”.
Për kokën e presidentit venezuelan, SHBA ka vendosur një shpërblim rekord prej 50 milionë dollarësh, ndërsa për Cabellon dhe ministrin e Mbrojtjes nga 25 milionë secili.
Një burim i cituar nga Miami Herald deklaroi:
“Maduro është i bllokuar. Ka gjeneralë që po mendojnë ta dorëzojnë për të shpëtuar vetë. Kjo është ndjesia në terren.”
Ky tension vjen pas vendimit të administratës Trump për të shpallur disa kartele latino-amerikane si organizata terroriste, përfshirë Tren de Aragua dhe Kartelin e Soles, që konsiderohen tashmë objektiva legjitimë të ndërhyrjes ushtarake amerikane.
Në gusht, SHBA nisi dislokimin më të madh ushtarak në Karaibe që prej Luftës së Gjirit – me 14 anije luftarake dhe mbi 10,000 trupa, pjesë e një “task-forcë” të përbashkët për patrullimin e rajonit.
Ndërkohë, OKB ka reaguar ashpër, duke e cilësuar ndërhyrjen e mundshme si “të papranueshme” dhe duke kërkuar “përmbajtje dhe respekt për sovranitetin territorial të Venezuelës”.
Në sfond, mbetet e paqartë nëse Trump do ta japë urdhrin përfundimtar për sulm, por zhvillimet e fundit tregojnë se Amerika është më afër se kurrë një ndërhyrjeje të drejtpërdrejtë në Amerikën Latine – me gjithë pasojat e mundshme që kjo do të sillte në arenën globale.

