Gazeta Panorama Online ka siguruar ekskluzivisht pjesë nga dosja hetimore e Antimafias italiane, në kuadër të “Operacionit Ura”, ku rrëfimi i të penduarit të drejtësisë, Domenico Milella, zbardh një rrjet të sofistikuar trafiku droge që përfshinte bashkëpunëtorë shqiptarë dhe metoda të paprecedenta për kontrabandimin e lëndëve narkotike.
Sipas dëshmisë së Milellës, organizata kriminale me bazë në Bari kishte krijuar dy kanale të forta furnizimi me kokainë dhe heroinë: nga Holanda dhe nga Shqipëria. Në këtë skemë, dy shtetas shqiptarë të identifikuar si “Aidi” dhe “Enrico” kishin rol kyç. “Aidi”, me banim në Rotterdam, ishte përgjegjës për dërgesat nga Holanda, ndërsa “Enrico”, i pahetuar më parë dhe i punësuar si hidraulik në Bari, shërbente si hallkë e padukshme e trafikut në territorin italian.
Telefona të koduar dhe karroca invalidësh për të mashtruar autoritetet
Për të shmangur kontrollin e forcave të rendit, trafiku organizohej përmes telefonëve të kriptuar BlackBerry, të cilët lejonin komunikim të sigurt për porositë, çmimet dhe cilësinë e drogës. Çmimi i kokainës varionte nga 26 deri në 27 mijë euro për kilogram, ndërsa për transportin përdoreshin makina të përshtatura me shoferë nga Polonia dhe Gjermania.
Më tronditëse është mënyra e futjes së heroinës në Itali. Sipas Milellës, ajo kontrabandohej nga Shqipëria me tragete, duke u fshehur në karrocat e invalidëve ose të ngjitur në trupin e personave të sëmurë, që udhëtonin në mënyrë të përsëritur.
“Ata kishin shumë rrugë, gjithmonë me traget, me persona të sëmurë në karrocë invalidi. Drogën e ngjisnin poshtë karrocës, 2-3 kilogramë. Pastaj atë heroinë e përzienin në Bari, dhe nga 3 kilogramë nxirrnin deri në 13. Quhej ‘Banana’ – një heroinë shumë e fortë”, ka treguar Milella.
Droga e porositur me katalog dhe shpërndarja në qytete të Italisë jugore
Pasi merrej droga, klienti mund të zgjidhte produktin përmes fotografive të markave dhe çmimeve të dërguara në mënyrë të koduar. Pas porosisë, brenda 2-3 ditëve ajo dorëzohej në Bari. Transporti ishte i organizuar në mënyrë që askush të mos kishte kontakt të drejtpërdrejtë me shoferin apo automjetin, duke e bërë hetimin edhe më kompleks.
Rrjeti kriminal, sipas Milellës, kishte shtrirje në provincat Brindisi, Lecce, si dhe në lagjen Madonnella të Barit, ku heroinën e furnizonin edhe organizata të tjera përmes bashkëpunëtorit italian Gianni Di Cosimo.
Operacioni “Ura” – Një rrëfim që pritet të trazojë themelet e trafikut ndërkombëtar
Dëshmitë e Milellës kanë shënuar një pikë kthese në hetimet e Antimafias italiane, pasi për herë të parë dokumentojnë me detaje përfshirjen e shtetasve shqiptarë në nivele të larta të trafikut ndërkombëtar të drogës, duke përdorur metoda kamuflimi të rafinuara dhe teknologji për komunikim të sigurt.
Hetimet për “Operacionin Ura” pritet të vazhdojnë, ndërkohë që autoritetet italiane dhe ato shqiptare janë në bashkëpunim të ngushtë për zbardhjen e plotë të rrjetit dhe vënien para drejtësisë të të gjithë personave të përfshirë.