Sot, Kuvendi i Kosovës mban vazhdimin e 53-të të seancës konstituive, në ditën e fundit të afatit të përcaktuar nga Gjykata Kushtetuese për formimin e institucioneve. Seanca është parashikuar të nisë në orën 14:00, vetëm pak orë përpara hyrjes në fuqi të vendimit të Kushtetueses, që ndalon çdo veprim drejt konstituimit të Kuvendit në rast të dështimit.
Lëvizja Vetëvendosje mbetet e palëkundur në propozimin e Albulena Haxhiut për kryetare të Kuvendit, pavarësisht se ajo nuk arriti të zgjidhet në seancat paraprake. Deri më tani, nuk ka asnjë sinjal për ndonjë marrëveshje të mundshme mes VV-së dhe ndonjë partie tjetër parlamentare, ndonëse partitë opozitare kanë sugjeruar emra të tjerë që, sipas tyre, do të ishin të pranueshëm për kryesimin e Parlamentit.
Në prapaskenë, ka pasur zëra për një marrëveshje të mundshme ndërmjet liderit të VV-së, Albin Kurti, dhe kreut të Nismës, Fatmir Limaj, por deri tani nuk ka pasur konfirmim zyrtar.
Diplomatët ndërkombëtarë kanë ngritur zërin për krizën politike në vend. Ambasadori i Britanisë së Madhe në Kosovë, Jonathan Hargreaves, u bëri thirrje liderëve politikë që të bashkëpunojnë dhe të gjejnë zgjidhje për të dalë nga bllokada. Sipas tij, vendi po rrezikon të futet në “territor të panjohur”, duke humbur aftësinë për të marrë vendime jetike për qytetarët në planin vendor dhe ndërkombëtar.
Edhe ambasadori i Gjermanisë, Jorn Rohde, shprehu zhgënjimin e tij për dështimin e sotëm dhe, përmes një deklarate për media, theksoi urgjencën për të formuar institucionet e reja.
Tashmë mbetet për t’u parë nëse kjo e premte do të sjellë një kthesë të vonuar, apo një bllokadë të re politike me pasoja të rënda për funksionimin institucional të vendit.